Pogradeci i përgjigjet Apolonisë: Merren me ne padrejtësisht, mjaft bëtë si qaramanë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2020 | 14:13

Pogradeci i përgjigjet Apolonisë: Merren me ne padrejtësisht, mjaft bëtë si qaramanë

Në Grupin B gara e Superiores është mjaft interesante, ku 6 ndeshjet e mbetura do të vendosin cili mes Pogradecit kryesues, Apolonisë dhe Lushnjës do të ngjitet në elitë e cili do të shkojë në “play off”. Ditët e fundit ka pasur pakënaqësi nga rivalët e Pogradecit, Apolonia dhe Lushnja, që janë “ankuar” për faktin se ky ekip po stërvitet në fushë.ylli cekici

Pas intervistës për “Panorama Sport” të Artan Mërgjyshit, trajnerit të Apolonisë, reagon drejtori teknik i pogradecarëve, Ylli Çekiçi: “Më vjen keq, me gjithë respektin që kam për Mërgjyshin, që në mënyrë të padrejtë merret me ne, duke na akuzuar se kemi zbritur në fushën e stërvitjes, duke shkelur rregullat.

I them si koleg që të mos bëjë rolin e qaramanit. Jemi për garë të ndershme, për asnjë moment nuk kemi dashur ta marrim vendin e parë në tavolinë, kaq mjafton. Stafi teknik komunikon me të gjithë futbollistët dhe stërvitja vazhdon në mënyrë individuale.

Është fati ynë që Pogradeci është zonë e sigurt dhe kemi vende, ku futbollistët mund stërviten individualisht, në parkun e qytetit dhe buzë liqenit. Nuk besoj se ka ndonjë shkelje në këtë rast dhe rivalët tanë nuk ka pse të bëhen xhelozë”, është shprehur drejtuesi i Pogradecit, Ylli Çekiçi.

Romeo Xinxifi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"