Pogradeci, gjysma e ekipit pa kontrata

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2019 | 19:07

Pogradeci, gjysma e ekipit pa kontrata

Ekipi i Pogradecit po zhvillon një fazë intensive përgatitjesh për kampionatin e ri, ku nuk kanë munguar edhe ndeshjet miqësore, por ajo që shqetëson për momentin ka të bëjë me faktin se ende nuk janë mbyllur kontratat me futbollistët, të cilëve u kanë skaduar në fund të sezonit që shkoi.

pogradeci

Mësohet se janë tetë futbollistë në ekip me kontratë të firmosur deri tani, pjesa tjetër ende nuk është zyrtarizuar, edhe pse ata janë të gatshëm për vazhdimin e bashkëpunimit. Madje, edhe ata që kanë ardhur gjatë merkatos verore kanë arritur një akord verbal edhe për termat financiarë me drejtuesit e klubit, por firma mbi kontratë mungon. Nënshkrimi i kontratës me këtë grup lojtarësh thuhet se do të bëhet shumë shpejt, sepse është thjesht çështje procedurale e mbetur pezull nga largimi i ishkryebashkiakut Eduard Kapri, i cili ishte njëkohësisht edhe presidenti i ekipit pogradecar.

Ditët e fundit ka marrë detyrën kryebashkiaku i ri, Ilir Xhangolli dhe këto ditë ai do të merret edhe me futbollin. Trajneri Festim Fetollari po punon shumë seriozisht me të tijtë dhe nuk është ndierë i shqetësuar për këtë fakt. “Ne po vazhdojmë procesin stërvitor dhe të gjithë futbollistët mund të them se janë të përqendruar te puna në fushë. Po punojmë mjaft mirë dhe mendoj se shumë shpejt do të nënshkruhen kontratat edhe me atë pjesë të futbollistëve që nuk kanë firmosur”, thotë trajneri i Pogradecit. Ai ka planifikuar të zhvillojë të tjera ndeshje miqësore dhe gjasat janë që testi i radhës të luhet me Devollin ditën e mërkurë, në fushën e Bilishtit. Ndoshta me pogradecarët do të bashkohen edhe futbollistë të tjerë deri në mbylljen e merkatos, pasi synohet një ekip me pretendime serioze.

Romeo Xinxifi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"