Pogradeci-Elbasani/ Asnjë pikë pas 4 javëve, liqenorët dhe verdheblutë në kërkim të fatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2020 | 12:15

Pogradeci-Elbasani/ Asnjë pikë pas 4 javëve, liqenorët dhe verdheblutë në kërkim të fatit

Pogradeci është gati t’i japë “shkelmin” krizës. Asnjë pikë e grumbulluar pas 4 javësh i ka futur në kolaps liqenorët. Gjithsesi, të besuarit e Ardian Abazajt nuk kanë në plan të dorëzohen. Derisa është vetëm starti i këtij sezoni, i kanë që të gjitha shanset për të bërë autokritikën dhe ngjitur ndonjë shkallë në renditje, gjë që do ta tentojnë duke filluar nga sot, kur përballë do të kenë pikërisht Elbasanin. Në “Gjorgji Kyçyku” do të ndeshen dy skuadra me traditë, por që aktualisht janë në fundin e tabelës.
pogradeci devolli
DËMTIME DHE DILEMA
Stafi teknik është në hall para këtij 90-minutëshi. Dëmtimet e shumta kanë lënë pezull edhe formacionin. Zyrtarisht nuk ia del Arsen Kasa, ndërsa pezull është Hermes Çkullaku dhe Jurgersi Liçkollari. Shpresat e trajnerit janë të varura te dy të fundit, të cilët janë në luftë me kohën. Edhe pse nuk janë në gjendjen optimale, në kampin liqenor shpresojnë që sot të marrin një lajm të mirë dhe ata të llogariten si titullarë. Si pasojë e shqetësimeve, Abazaj është detyruar që të bëjë edhe ndryshime në skemë. Nga sa është parë në procesin stërvitor, ai ka hequr dorë nga stili i zakonshëm dhe ka menduar për një mesfushë të ngjeshur e një sulm me shumë forca. Futbollistët janë përgatitur me seriozitet për të dhënë më të mirën ndaj Elbasanit, ndërkohë që lajmi i vetëm i mirë është rikthimi i Astrit Hysenllarit. Me të në qendër të mbrojtjes, do të jenë më të qetë.

“VETERANI” PURA
Armir Pura mundohet që të karikojë grupin para javës së 5-të. Ai beson te forca e skuadrës, ndaj për “Panorama Sport” thotë: “Nuk ka më justifikime. Mjaft me lojëra të mira, sepse na duhen pikët. Në këtë ndeshje të radhës fitorja është detyrim për ne. Duhet ta kapërcejmë këtë moment të vështirë për të dalë te pikët. Ne kemi futbollistë të rinj, por që janë vërtet cilësorë. Natyrisht që duan pak kohë, por mendoj se ka ardhur momenti që edhe ata ta ndihmojnë ekipin dhe të jetë përcaktues”.

Leshanaku Elbasani
Trajneri i Elbasanit
Elbasani udhëton drejt Pogradecit me mision. Verdheblutë duan të koleksionojnë pikët e para në kampionat. Edhe pse mund të mos hyjnë si favoritë në këtë përballje, skuadra do të luajë shanset e veta sot. Pritet që stafi teknik ta ketë të plotë grupin. Edhe pse në ditët e fundit lojtarë si portieri Moli apo mbrojtësit Ballgjini dhe Mataj kanë shfaqur shqetësime të vogla, do të rikuperohen në kohë. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, Shkëlqim Lleshanaku shprehet optimist, ndoshta për të mbajtur në tonus dhe të qetë skuadrën që drejton. Sa i përket përballjes me Pogradecin, ai shpreson te maksimumi.

“Vërtet vijmë pas rezultateve negative këtë fillim sezoni, por kjo nuk do të thotë se kemi presion. Kampionati është i gjatë dhe duhet të jemi të qetë për të parë përpara. E theksoj se kam besim te lojtarët që stërvis dhe së bashku do t’ia dalim të marrim rezultatet. Shpresojmë që të nisë seria e kthesës që në përballjen ndaj Pogradecit. E shohim një përballje të vështirë, por do të synojmë maksimumin. Nuk mendoj se ekipet kanë shumë diferenca dhe me pak fat dhe cinizëm mund të fitosh ndaj çdo kundërshtari. Kemi pasur disa shqetësime të lehta prej dëmtimeve, por shpresojmë t’i rikuperojmë dhe t’i kemi të gatshëm për këtë përballje”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën tekniku i skuadrës së Elbasanit, që pret kthesën kundër një rivali direkt.

elbasaniii

ROMEO XINXIFI

VLADIMIR MEMA

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"