Pogradeci, Abazaj qetësohet për dëmtimet, por e ka hallin te miqësoret

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2020 | 22:56

Pogradeci, Abazaj qetësohet për dëmtimet, por e ka hallin te miqësoret

Ekipi pogradecar, që kryeson Grupin B, po stërvitet me një grup të plotë futbollistësh prej më shumë se një jave, ku gjithçka ka shkuar mirë. Sipas planit të trajnerit Ardian Abazaj, stërvitja e karakterit fizik është kaluar dhe tashmë lojtarët kanë filluar të përqendrohen në punën me topin. Nuk është një stërvitje e plotë tekniko-taktike, por deri më 14 qershor, kur luhet ndeshja e parë me Besën, ekipi do të përgatitet edhe në këtë drejtim.
POGRADECI66
Gjatë javës që shkoi, trajneri Abazaj kishte frikë nga ndonjë dëmtim i mundshëm, duke qenë se disa futbollistë ishin pak mbi peshë për shkak të periudhës së gjatë pa stërvitje në fushë, por ky merak tashmë është hequr. “Jemi ndeshur me disa probleme që më shumë ishin të karakterit të kontraktimeve fizike, por për fat të mirë, është tejkaluar gjithçka. Alillari pësoi një tërheqje të lehtë, por edhe ai ka dy ditë që ka filluar me ngarkesë të plotë”, pohon trajneri i liqenorëve.
pogradeci
MIQËSORET – Prej më shumë se dy muajsh, pogradecarëve, ashtu si dhe të tjerëve u mungojnë ndeshjet dhe zgjidhja më e mirë do të ishin miqësoret. Megjithatë, sipas drejtuesve të ekipit, kjo gjë është e pamundur. Ata kanë marrë përgjigje negative nga FSHF-ja në lidhje me zhvillimin e ndeshjeve miqësore. E vetmja alternativë mbetet loja brenda grupit, por edhe kjo në kushte të kufizuara. Për këtë aspekt, trajneri Abazaj dhe stafi i tij janë të shqetësuar, sepse futbollistët duhet të testohen edhe në kushte loje, aq më shumë kur bëhet fjalë për të përballuar 6 ndeshje shumë të rëndësishme në fazën finale të këtij sezoni. Liqenorët udhëheqin Grupin B, por dy rivalët i kanë pranë, Apoloninë 2 pikë prapa dhe Lushnjën 4 pikë. Në ndeshjet direkte gjithçka mund të ndodhë dhe liqenorët janë të angazhuar maksimalisht për të mos e çuar dëm punën dhe sakrificën që kanë bërë gjatë kampionatit.

ROMEO XINXIFI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"