Poçi: Dinamo është historia, na ka marrë malli për derbit. Nuk duket si ekip i bërë nga e para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2021 | 23:31

Poçi: Dinamo është historia, na ka marrë malli për derbit. Nuk duket si ekip i bërë nga e para

Para se të zhytej në krizën e thellë të 9 sezoneve të fundit, Dinamo ka pasur në gjirin e saj elementët më të mirë të futbollit shqiptar. Përveç atyre që kanë dalë nga shkolla e saj, kanë qenë elbasanas, korçarë, vlonjatë, fierakë dhe lojtarë nga qytete të tjera që kanë kontribuuar në fitimin e trofeve të fundit blu. Artion Poçi është një prej tyre, një nga ata futbollistë që kanë lënë gjurmë me fanellën e Dinamos për 8 vjet, praktikisht gjysmën e karrierës. Mesfushorin fierak, tifozët blu e kujtojnë për lojën e fortë dhe sakrificat që shpesh ka bërë për skuadrën duke mbuluar disa pozicione. Rikthimi i Dinamos në elitë, sigurisht që e ka entuziazmuar edhe Poçin, i cili thotë se vetëm ata që e kanë veshur atë fanellë e kuptojnë çfarë do të thotë ta shohësh sërish këtë skuadër mes më të mirëve.

Artion Poci ne dyluftim me Fjodor Xhafen

RIKTHIMI – “Sinqerisht, si të gjithëve atyre që kanë luajtur për Dinamon më bëhet shumë qejfi për këtë rikthim. Më vjen shumë mirë që e shikoj Dinamon në Superiore pas një kohe të gjatë sepse janë shumë vite. Pavarësisht meritave sportive të çdo skuadre, ka një traditë, ka një histori në futboll. Dinamo është historia dhe vetëm ne që e kemi veshur atë fanellë e kuptojmë dhe e dimë se çfarë do të thotë. Kam luajtur 8 vjet për Dinamon, kam fituar trofe dhe tani jam i lumtur ta shoh përsëri në Superiore.

Kam mendimin se është një e mirë për të gjithë futbollin shqiptar rikthimi i Dinamos në elitë. Me sa kam parë, njerëzit që kanë marrë drejtimin e skuadrës kanë një projekt serioz dhe afatgjatë dhe kjo është pozitive. Për më tepër, shoh që ka përpjekje për të siguruar edhe infrastrukturën e nevojshme, përveç investimit për skuadrën”, – thotë fillimisht për “Panorama Sport” Artion Poçi, i cili ka fituar dy tituj kampion me blutë. Ai është mjaft i lidhur me Dinamon dhe akademinë e fëmijëve që stërvit bashkë dy dinamovitë të tjerë, Arian Pishën dhe Nertil Ferrajn, e ka quajtur “Dinamo junior”.

DERBIT – Duke kujtuar kohën kur luante vetë, Poçi ndalet te ndeshjet derbi. “Na kishte marrë malli për Dinamon, sidomos për ato derbit që ne luanim në atë kohë. Ndeshje shumë të forta dhe plot emocion e me futboll të bukur. E përsëris, respektoj të gjitha skuadrat që luajnë në Superiore, por ka diçka ndryshe tani që është edhe Dinamo. Shpresoj dhe uroj që të shohim derbi si ato të kohës sonë me Partizanin dhe Tiranën sepse i japin vërtet bukuri futbollit”, thekson fieraku.

Poci-kur-luante-me-dinamon

EKIPI AKTUAL – Poçi jep mendimin e tij edhe për skuadrën aktuale, që në dy javët e para ka marrë 4 pikë. “Të them të drejtën, Dinamo më është dukur një skuadër e vendosur mirë në fushë, jo si një ekip që bëhet nga e para. Ndoshta këtu është merita e trajnerit apo edhe e disa lojtarëve me më shumë përvojë. E ndoqa ndeshjen me Laçin dhe them se është një skuadër që do të rritet me kalimin e javëve. Është viti i parë pas asaj mungese të gjatë dhe për mendimin tim, nëse do të jenë gjithmonë me këmbë në tokë mund të zënë një vend në Kupat e Europës. Do të ishte sukses. Ka luajtur 2 ndeshje në transfertë dhe ka marrë 4 pikë, një ecuri e mirë që shpresoj të vazhdojë në kampionat. Megjithëse Dinamo, me sa kujtoj, gjithmonë ka luajtur më mirë në transfertë. Nëse nuk do të ketë presionin për të arritur me patjetër diçka, besoj se Dinamo do të ecë mirë. Fillimi është premtues dhe ne dinamovitët shpresojmë që ta shikojmë këtë skuadër sa më lart, siç meriton fanella e saj”, përfundon Poçi.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"