Poçetino parakalon Zidanin, tani Junajtid preferon argjentinasin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2021 | 15:14

Poçetino parakalon Zidanin, tani Junajtid preferon argjentinasin

Mauricio Poçetino ka parakaluar Zinedin Zidanin në garën për stolin bosh të Mançester Junajtidit pas shkarkimit të Ole Gunar Solskjaerit. Ish-trajneri i Realit të Madridit vazhdon të ngurrojë për të pranuar ofertën e “Djajve”, të cilët tashmë kanë në krye të listës së dëshirave ishteknikun e Totenhemit.

zidane

Pavarësisht se kontrata e tij në Paris skadon në vitin 2023, “Sky Sports” mëson se Poçetino është i interesuar për stolin e 20 herë kampionëve të Anglisë dhe do të ishte i gatshëm të negocionte me PSG-në për prishjen e menjëhershme të kontratës. Ai ka edhe bekimin e Sër Aleks Fergusonit, i cili mendon se trajneri i ardhshëm i Junajtidit duhet të jetë pikërisht ai.

Zidan është duke pritur me interes zhvillimet në këtë front, sepse nëse Poçetino lë me marrëveshje stolin e PSG-së, atëherë mund ta zëvendësojë pikërisht francezi stolin e lënë bosh në “Parc des Princes”.

I dyti në listë pas Poçetinos është tashmë trajneri i Ajaksit, Erik ten Hag. Holandezi është 100% i interesuar në rast se do t’i propozohet të zëvendësojë teknikun norvegjez, pavarësisht se edhe ai ka edhe një vit kontratë me “Harkëtarët” pas këtij sezoni.

Sipas “The Sun”, drejtuesit kanë kontaktuar edhe teknikun e Lestërit, Brendën Roxhers, gjatë orëve të fundit.

Ndërkohë që e sigurt është vetëm se derisa të mbërrihet te menaxheri i ri, ekipi do të drejtohet nga Majkëll Karrik, duke nisur nga transferta e sotme në Ligën e Kampioneve, kundër Vijarealit, ndoshta edhe ndaj Çelsit të dielën në Premier Ligë.

Në rast se nuk do të kemi një emër të ri deri atëherë dhe rezultatet nisin të ndryshojnë, atëherë nuk përjashtohet që ishkapiteni të fitojë besimin e bordit dhe një kontratë, të paktën deri në fund të sezonit.

Gjithsesi, për projektin afatgjatë të klubit, në “Teatrin e Ëndrrave” përmendet vetëm një emër këto orë dhe ai është, Mauricio Poçetino.

ANDROKLI DRALO-PANORAMAPSORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"