Po shkëlqen me Bajernin, kroati Perisiç: Do luaj edhe 7-8 vite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2020 | 23:51

Po shkëlqen me Bajernin, kroati Perisiç: Do luaj edhe 7-8 vite

Ivan Perisiç është duke kaluar një formë fantastike me skuadrën e Bajernit të Mynihut. Kroati i cili u largua në fund të sezonit të kaluar nga Interi në formën e huazimit po mendon të qëndrojë gjatë në Gjermani. 5 milionë euro pagoi Bajerni për sulmuesin e krahut dhe nëse do të vendosë për të për ta blerë përfundimisht lojtarin, do të duhet të derdhë në arkat e klubit zikaltër 20 milionë euro. 

Perisic

“Abendzeitung” në Gjermani shkruan se klubi italian dhe ai gjerman do të ulen në fund të muajit prill për të biseduar në lidhje me transferimin e mundshëm të lojtarit në Munih. Vetë Perisiç u shpreh pas ndeshjes me Hertën e Berlinit ku shënoi edhe golin e tretë në fitoren 4-0 të skuadrës së tij se ndihej shumë mirë te bavarezët.

“Deri tani gjithçka ka shkuar mirë. Jam duke u stërvitur me përkushtim maksimal dhe besoj se edhe trajneri është i kënaqur me punën time”, tha kroati. I pyetur nëse do të qëndronte edhe në sezonin e ardhshëm në skuadrën e Bajernit, Ivan tha: “Nuk e di se çfarë do të ndodhë deri në qershor. Ajo që mund të them është se ndihem shumë mirë këtu dhe se mund të luaj edhe 6 apo 7 vite të tjera futboll, pjesa tjetër u përket klubeve”.

Sigurisht që qëndrimi i Perisiç në Munih do të varet shumë edhe nga transferimi i Leroi Sanesë në verë. Deri tani gjasat që gjermani të rikthehet nga Mançester Siti janë të shumta duke konsideruar edhe faktin se ai ishte pranë kalimit te bavarezët në verën e kaluar. Sigurisht që paraqitja e tij do të jetë e rëndësishme. Deri tani drejtuesit e klubit janë shprehur në intervista të ndryshme se janë të kënaqur me kroatin i cili ka ndihmuar skuadrën duke shënuar 5 gola në të gjitha kompeticionet që ka luajtur (4 gola në Bundesligë dhe 1 në Champions).

Në këtë sezon, Ivan ka mundësi të fitojë një trofe të rëndësishëm në karrierën e tij. Bajerni është vetëm 4 pikë pas kryesuesve të Lajpcigut që u shpall kampione e dimrit. Por bavarezët nuk do të dorëzohen deri në fund dhe këtë e treguan edhe në ndeshjen e fundit me Hertën e Berlinit ku fituan me rezultat të thellë ndaj një kundërshtari modest si berlinezët. “Nuk do të dorëzohemi deri në fund për t’u shpallur kampionë”, përfundoi Perisiç.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"