“Po shkatërrojmë emrin e Skënderbeut”, Meksi i bën apel shokëve të skuadrës: Ndaj Vllaznisë duhet…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2021 | 21:15

“Po shkatërrojmë emrin e Skënderbeut”, Meksi i bën apel shokëve të skuadrës: Ndaj Vllaznisë duhet…

Skënderbeu vuan dhe gjithnjë e më shumë shton ethet e rënies nga kategoria. Seria e humbjeve është momenti më i keq që ky ekip ka kaluar ndonjëherë në vitet e fundit dhe kjo normalisht që ka lënë shije të hidhur. Klubi, i ndodhur në një pozicion të vështirë, ka vendosur heshtje shtypi deri në reagimin e skuadrës.

Jorgo Meksi

Një masë paraprake kjo për të mbajtur lojtarët e përqendruar në ndeshjen e radhës dhe për të minimizuar daljet publike. Ky vendim i marrë para ndeshjes me Teutën vjen edhe për atë se mosreagimi i ekipit në fushë ka sjellë edhe mungesë komentesh dhe justifikimesh në kampin bardhekuq. Në kushte të tilla, trajneri Memelli ka nxjerrë ekipin në stërvitje ditën e djeshme, edhe pse në borë dhe temperatura të ulëta. Gjithçka ka nisur me analizën për ndeshjen e fundit në Durrës.

KAPITENI – Ndryshe nga herët e tjera, ka qenë Jorgo Meksi që ka folur para skuadrës duke u munduar të shkundë disi shokët e ekipit për të bërë ndeshjen e duhur ndaj Vllaznisë. Meksi u është drejtuar shokëve të skuadrës, duke u bërë thirrje që të ruhet grinta e treguar pjesën e dytë ndaj Teutës. “Panorama Sport” zbardh një pjesë të fjalimit të kapitenit para skuadrës: “Jemi në një situatë të vështirë, që nuk ka nevojë për shumë fjalë. Jemi keq dhe në vendin e fundit. Kjo për ne është shkatërrim i një ekipi që ka mbajtur lart emrin e vet dhe futbollin në qytetin e Korçës.

Meksi5

Prandaj, ajo që na duhet është reagim i menjëhershëm. Duhet të bëjmë të njëjtën lojë me të njëjtën grintë si në pjesën e dytë në Durrës. Të kemi atë shpirt gare dhe dëshirë për të bërë mirë. Kjo është kryesorja. Më pas të shmangim përgjumjet në mbrojtje. Janë të gjitha përgjegjësitë tona nga mua i pari te ju në golin e pësuar në Durrës. Nuk duhet të jemi aq të brishtë dhe të fjetur në një ndeshje. Kjo vlen për të gjithë. Të hyjmë në fushë të bindur ndaj Vllaznisë. Vetëm kështu ia dalim”, është shprehur Meksi.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"