“Po rrezikohet falimenti i Flamurtarit”, Memushi apel bashkisë: Do të përfundojmë si Luftëtari…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2021 | 22:30

“Po rrezikohet falimenti i Flamurtarit”, Memushi apel bashkisë: Do të përfundojmë si Luftëtari…

Eqerem Memushi kërkon reagimin e menjëhershëm të Këshillit Bashkiak për Flamurtarin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i njohur vlonjat i druhet një falimentimi të klubit, ndaj apelon që të zgjidhet sa më shpejt çështja e privatizimit. Ai e sheh ngjitjen gati të pamundur, duke parë pozitat që kanë pas fazës së parë. 
eqerem memushi

Nuk kishte si të mos fliste edhe për Orikun, me të cilin së shpejti do të takohet në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF.

U shty Kategoria e Parë dhe e Dytë, si e gjykoni këtë vendim?

Nuk ka ndonjë ndikim, pasi gara do të fillojë. Mendoj se ishte një vendim i drejtë nga FSHF, duke parë terrenet e rënduara nga shirat.

Çfarë opinioni keni për Flamurtarin e këtij sezoni?

Në një kohë kur merkatoja është e bllokuar, kanë dhënë maksimumin me aq lojtarë sa kanë në dispozicion. Duhet falënderuar trajneri dhe djemtë për punën. Flamurtari ka një trajner të ri, që drejton dhe punon me pasion e profesionalizëm. Nëse e mban në Kategorinë e Parë këtë sezon, Dritan Resuli e ka arritur objektivin. Ne që jemi pjesë e futbollit dhe kush e kupton atë, e di më mirë, por çështja është se ku do të shkojë ky Flamurtar.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Unë e mbështes plotësisht administratorin Sinan Idrizi, si një njeri që kam kontribuar për atë ekip, por sportdashësit duan përgjigje nga Këshilli Bashkiak për të ardhmen e klubit. Si shembull duhet marrë Vllaznia. Kam ndjekur dhe dëgjuar drejtuesit e klubit, por edhe të Bashkisë së Shkodrës që flasin për këtë proces.

Duke parë edhe ligjin e ri të sportit, ka një afat. Nëse skuadra nuk privatizohet deri në qershor, pra për sezonin tjetër, mund të kalojë në nivel amator. Vlora është qytet i madh. Pa dashur që të fyej të tjerët, por Flamurtari nuk është Këlcyra, Delvina apo Egnatia që ka ambicie të kalojë në Superiore. Vlora është me shumë histori e tradita, si kulturore edhe sportive. Kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjet urgjentisht Këshilli Bashkiak, madje që në mbledhjen që me sa di do të zhvillojë në 25 janar. Duhet të kalojë në rend dite çështjen e Flamurtarit.

Sa janë shanset që Flamurtari të ngjitet në Superiore? 

Nuk ka shanse që Flamurtari të ngjitet këtë sezon në Superiore. Të jemi realistë. Vetë administratori, të gjithë pjesëtarët e stafit dhe futbollistët janë të ndërgjegjshëm që nuk kanë asnjë lloj shansi për t’u ngjitur.

Cila do të ishte zgjidhja?

Tani problemi është i Këshillit Bashkiak. Idrizi duhet të mbështetet, pasi Flamurtari sa vjen dhe po zbehet. Do të na ndodhë si Luftëtari që falimentoi. Atëherë, do të ishte turp i madh. Do të na ikte çdo meritë, do të humbnim çdo trofe që e kemi marrë me mund e djersë gjatë gjithë historisë sonë të ndritur.

Këshilli Bashkiak duhet të mblidhet, t’i japë mundësinë Idrizit ose të bëjë aksioner gjithë qytetin. Jemi gati t’u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Vlorës, të mblidhemi e të gjejmë 100 milionë lekë për Flamurtarin. Nuk duhet të humbasim historinë.

Keni një koment për Orikun që e drejtuat deri para pak javësh?

I uroj suksese Orikut dhe ta fillojë mbarë. Urime edhe trajnerit Artan Sakaj. Fillimi i mbarë, gjysma e punës. Unë me Orikun jam në DHZK. Puna jonë kështu është, nesër unë mund të shkoj prapë atje. Por pjesën që më takon, unë do ta kërkoj me çdo mënyrë. I kam bërë kërkesë administratorit, por nuk më ka kthyer përgjigje. Tani do të shkoj në FSHF, pasi jam i shkarkuar dhe jo i dorëhequr. Skuadrën e lashë në vend të pestë…

Cila do të jetë e ardhmja juaj?

Duke parë prapaskenat e intrigat në futbollin tonë, ndonjëherë them ta mbyll këtu. Unë s’e bëj dot servilin apo hipokritin. Megjithatë, jam i gatshëm për çdo bashkëpunim. Por, kush do të bashkëpunojë me mua, duhet që të marrë parasysh edhe karakterin tim.

ERMAL SIKA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"