“Po punojmë për të ngritur muzeun e Dinamos”, administratori Barushi: Kemi gjetur 3 trofetë e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2020 | 16:41

“Po punojmë për të ngritur muzeun e Dinamos”, administratori Barushi: Kemi gjetur 3 trofetë e parë

“Së shpejti Dinamo do të ketë muzeun e tij, për këtë po punojmë”, tregon administratori Ermal Barushi për “Panorama Sport”, teksa flet për iniciativën e fundit për rikthimin e trofeve të fituar nga Dinamo. Ai qartëson se po bëhen përpjekje që në muze të ketë gjithçka që ka të bëjë me historinë e bluve, fotografi të vjetra, fanella, shaje apo dhe shkrime gazetash të kohës.
Ermal Barushi
“Nuk ka kuptim ekzistenca e një klubi pa historinë e vet, aq më tepër të një klubi si Dinamo, që është nga më të suksesshmit dhe më të titulluarit në vend. Prandaj thashë se bashkë me presidentin Marko Pontreli po punojmë për ndërtimin e një muzeu, me anë të të cilit çdo dashamirës mund të njihet me historinë e Dinamos. Po përpiqemi të gjejmë çdo material që është një copë historie e Dinamos, që nga trofetë, foto, shkrime e kështu me radhë. Kemi gjetur tre trofetë e parë dhe për këtë na ka ndihmuar z.Mersin Shaba, babai i një ish-futbollisti të Dinamos, Ymer Shaba. Po kontaktojmë shumë njerëz për këtë, që Dinamos, e trajtuar me shumë arrogancë nga Agjencia e Shërbimit të Sporteve që i mori shtëpinë, t’i kthehet identiteti. Shpresojmë të kemi mirëkuptimin e të gjithëve atyre që i kanë këto trofe”, thotë administratori Barushi.
Dinamo
EKIPI – Drejtuesit e Dinamos janë munduar të bëjnë një organizim total të klubit, çka kërkon edhe një ekip kompetitiv. Barushi pohon se ekipi i krijuar për sezonin e ri është premtues dhe me ndihmën e tifozëve mund të kthehet në elitën e futbollit shqiptar.

“Jemi munduar të bëjmë më të mirën për ekipin e sezonin të ri duke afruar lojtarë me kualitet dhe përvojë, si nga kampionati ynë, ashtu edhe të huaj. Duam që Dinamo të jetë organizuar si duhet në çdo hallkë të saj për t’u kthyer në ditët e saj më të mira, siç e kërkojnë tifozët e saj. Gjatë ndeshjeve miqësore që kemi zhvilluar, veçanërisht në atë të fundit me Vllazninë, Dinamo ka treguar nivel dhe kjo na bën të besojmë se kemi punuar mirë. Objektivi ynë është që të ngjitemi në Superiore dhe të gjithë së bashku, mund t’ia dalim. Dinamo meriton të kthehet në kohët e saj më të mira, fanella e saj është një aset i futbollit shqiptar”, ka përfunduar Barushi.

Trofetë e Dinamos për vazo lulesh, klubi apel për rikthimin e kupave

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"