Po pret federimin me Flamurtarin, Ahmetaj: Kam mall për… futbollin
Alvi Ahmetajn e ka marrë malli për futboll. U bënë muaj që vetëm stërvitet me Flamurtarin, por nuk luan dot. Ai dhe 3 blerjet e verës mbeten në pritje të zhbllokimit të merkatos. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” ai shpreson që kjo histori të marrë fund shpejt.
“Përderisa unë po qëndroj këtu, ndihem mirë. Kam shumë për të dhënë dhe kam mjaftueshëm energji për të shkarkuar. Me padurim po pres hapjen e merkatos për të treguar të gjitha aftësitë e mia. Ende nuk kemi një datë të saktë, por mendoj që së shpejti do të federohemi”, shprehet fillimisht 22-vjeçari. Mesfushori komenton edhe paraqitjet e Flamurtarit, ndërsa mendon se skuadra po rritet. Pavarësisht humbjes me Lushnjën, thekson se nuk ka vend për demoralizim.
“Ekipi është paraqitur shumë mirë. Nga ndeshja në ndeshje tregon një rritje. Humbjet nuk duhen bërë dramë. Veçoj këtu elementët e rinj të cilët janë shumë të talentuar dhe kanë për ta treguar veten më së miri. Çdo gjë do shihet me kohën. Futbolli kështu e ka. Me Lushnjën ishte një ditë jo e favorshme për ne, gjithsesi nuk demoralizohemi”, tha Ahmetaj. Ai ndalet edhe te Luftëtari, ku luajti një sezon më parë. “Nuk do doja të flas shumë për këtë pjesë sepse ndiej keqardhje, por mendoj se ishte keqmenaxhim nga drejtuesit. Shpresoj ta shoh përsëri në nivelet që ka qenë dhe me personat e duhur”, përfundon mesfushori.
ERMAL SIKA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"