“Po pikon qielli, por më ndryshuan planet”, u stërvitën në shi e erë, Gjyla: Më shtohen hallet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2021 | 12:19

“Po pikon qielli, por më ndryshuan planet”, u stërvitën në shi e erë, Gjyla: Më shtohen hallet

Ilir Gjyla e pranon që situata e stadiumeve është e rënduar, e megjithatë nuk është shumë “pro” shtyrjes. Ndryshimin e programit stërvitor e quan hall më vete. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, sqaron se çfarë nuk shkon me spostimin prej 72 orësh të ndeshjes. Frikën e vetme e ka nga dëmtimet dhe këto ditë do të përpiqet në të gjitha format të mos rrezikojë lojtarët. Megjithatë, sheh edhe të mira nga ky vendim.

Ilir Gjyla Lushnja

“Reshjet e shiut dhe era e fortë kanë shoqëruar seancën që zhvilluam sot (dje). Me pak mundim, u stërvitëm ama. Do të vazhdojmë kështu deri ditën e hënë, pasi të martën e kemi ndeshjen. U njoftuam zyrtarisht se java e 13-të është spostuar për më 14 dhjetor. Shefi i klubit na shpjegoi se federata doli në këtë konkluzion për shkak të shirave që pritet të shtohen në fundjavë dhe stadiumet logjikisht do të rëndohen. Nuk kam asgjë kundër.

Është një vendim më shumë se normal dhe nuk ke çfarë të bësh ‘kur kullon qielli’. Jam dakord, edhe pse ne e kemi fushën e stadiumit ‘Roza Haxhiu’ në rregull.

Nuk mban ujë. Megjithatë, ky është një vendim i marrë tashmë dhe as nuk dua ta diskutoj. Vetëm se mua më shtohet halli… Unë e konsideroj siklet këtë pjesë. I kisha mbaruar ngarkesat dhe të enjten e të premten do bëja gati skuadrën për të shtunën.

Tani jam në siklet dhe pse do pyesni ju? Në momentin që nuk ke terrene dhe me gjithë këtë shi që po bie, normal që ne do të mundohemi t’i ruajmë futbollistët. Me pak mundim nuk na mbetet tjetër që të vazhdojmë. Mendoj që çdo e keqe e ka një të mirë dhe çdo e mirë e ka një të keqe. Ne kemi 2-3 lojtarë në rikuperim e sipër.

Ndoshta bëhen gati ndonjë prej tyre deri në ditën e ndeshjes me Vorën. Megjithatë, nuk kam asgjë me vendimin. Për mua gjithë ky shi dhe me këto terrene që kemi ne, normal nuk kam asnjë kundërshtim”, përfundoi trajneri Ilir Gjyla.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"