Po përshtaten shpejt te Erzeni/ Atanda dhe Alba japin… garanci

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2023 | 21:45

Po përshtaten shpejt te Erzeni/ Atanda dhe Alba japin… garanci

Pas triumfit kundër Dinamos, që ishte i pari për këtë kampionat, drejtuesit e Erzenit kanë mbledhur skuadrën në një darkë, me synimin e vetëm për të mbajtur sa më lart moralin dhe atmosferën në grup. Në fakt, kjo është bërë traditë te shijakasit, sepse në sezonin e kaluar pas fitoreve në kampionat, drejtuesit, lojtarët dhe stafi janë mbledhur gjithnjë për të konfirmuar se janë një grup unik dhe vetëm të bashkuar mund t’ia dalin.

F.Hazisllari

F.Hazisllari

Koha nuk pret dhe ndeshja e radhës është te dera për shijakasit, pasi të premten luajnë kundër Tiranës në transfertë. Ky takim i vlefshëm për javën e pestë do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi” në orën 15:00 të datës 22 shtator.

AFRIMET – Drejtuesit e Erzenit goditën në merkaton e sezonit të kaluar, por duket se e njëjta gjë kanë bërë edhe këtë herë. Redon Mihana dhe Agim Zeka janë dy lojtarë që po i japin tonus repartit ofensiv, në një kohë që më parë në kampionatin shqiptar ishin afirmuar në skuadra të tjera. Mirëpo, meraku më i madh i klubit kanë qenë mesfushori brazilian, Andrei Alba dhe qendërmbrojtësi nigerian, Sodik Atanda.

Nëse ky i fundit njihet për eksperiencën që ka në Superiore, problemi ishte te braziliani, pasi është hera e parë që luan në Shqipëri. Mirëpo, ndeshja e fundit ndaj Dinamos, tregoi se Alba i dha garanci skuadrës në qendër të mesfushës, duke shkatërruar shumë aksione dhe shërbyer pasime të sakta. Alba i dha më shumë frymëmarrje skuadrës, ndërsa Atanda në mbrojtje garancinë e munguar.

LARGIMET – Burime në klubin shijakas konfirmuan dje për “Panorama Sport” se dy prej lojtarëve të huaj që u stërvitën me Erzenin këtë periudhë, nuk janë federuar nga klubi, pasi kanë qenë larg pritshmërive të stafit teknik. Bëhet fjalë për mbrojtësin 27-vjeçar argjentinas, Federico Akosta dhe atë ganez, Emanuel Agyemang Badu. Të dy u stërvitën disa javë me skuadrën, por nuk do të jenë më pjesë e saj.

ERALD DERVISHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"