“Po morëm pikë në Krujë, jemi në Superiore”, talenti i Besëlidhjas “kërcënon” Kastriotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2020 | 20:56

“Po morëm pikë në Krujë, jemi në Superiore”, talenti i Besëlidhjas “kërcënon” Kastriotin

Besëlidhja të enjten në fushën sportive të Rubikut mposhti Mirditën në një miqësore me shifrat 0-2, që ishte edhe takimi i fundit për minifazën post- “COVID-19”.

BESELIDHJA

Gjatë kësaj periudhe Besëlidhja ka zhvilluar 3 ndeshje miqësore: me Laçin në stadiumin e Lezhës që e fitoi me shifrat 1-0, në Durrës ndaj Skënderbeut ku humbi 2-1 dhe së fundi në Rubik triumfoi ndaj Mirditës 2-0. Lezhjanët sezonin post-“COVID-19” do ta nisin me një supersfidë në transfertë ndaj Tiranës, e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë dhe më pas do të startojnë fazën e tretë të kampionatit me ndeshjen ndaj Erzenit që do ta zhvillojnë në shtëpi.

Ndonëse Besëlidhja objektivat madhorë i ka në kampionat, eliminimi që i bënë Partizanit, u ka hapur oreksin për të përjetuar të njëjtin sukses edhe ndaj bardhebluve, të cilët po marshojnë të sigurt drejt shpalljes kampion të Shqipërisë.

Në miqësoren ndaj Mirditës, Besëlidhja u paraqit pothuajse me rezervat, pasi vetëm 2 titullarë të saj u aktivizuan që nga minuta e parë, Patrik Fetaj dhe Igli Moqi. Golin e parë për Besëlidhjen e shënoi i riu Marsel Marku i cili para dy sezonesh karrierën si futbollist e ka nisur pikërisht te Mirdita, për t’u transferuar më pas te Besëlidhja.

Marsel Marku

Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, Marsel Marku deklaroi: “Të shënosh gol me fanellën e Besëlidhjes, qoftë edhe në një miqësore si ajo e së enjtes, është një privilegj që çdo futbollist i këtyre trevave do ta ëndërronte, ndaj jam shumë i lumtur. Pavarësisht se e kam nisur futbollin me Mirditën, në dy miqësore që kemi zhvilluar ndaj skuadrës mirditore kam pasur privilegjin që të shënoj gol dhe kjo për mua është e rëndësishme. Ndonëse unë nuk jam titullar i Besëlidhjes, fanella e saj më rëndon shumë, por edhe më inkurajon që një ditë mund të bëhem edhe titullar.

Besëlidhja ka shumë sfida përpara, por tani po mendojmë për atë të radhës ndaj Tiranës për Kupë. Kam besim te kjo skuadër dhe te trajneri, ndaj në Tiranë do të shkojmë të karikuar me energji pozitive nga të gjitha pikëpamjet. Në kampionat, aty ku kemi edhe objektivat kryesorë, jam i bindur se do t’ia dalim me sukses. Vendimtare do të jenë dy sfidat e para, që kulmojnë me atë ndaj Kastriotit në Krujë. Me rrëmbimin e ndonjë pike atje, mund të them se njërën këmbë e hedhim menjëherë në Superiore”, tha i riu Marsel Marku.

Preng Gjikola – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"