“Po mësoj shqip, kam ende shumë gjëra për të arritur në Shkodër”, Brdariç për mediat gjermane: Ishim pranë titullit, por këtë sezon Vllaznia do ta fitojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2021 | 19:14

“Po mësoj shqip, kam ende shumë gjëra për të arritur në Shkodër”, Brdariç për mediat gjermane: Ishim pranë titullit, por këtë sezon Vllaznia do ta fitojë

Tomas Brdariç tregon eksperiencën në Shqipëri për mediat gjermane. Në një intervistë të dhënë së fundmi për portalin “wettbasis.com”, që merret me parashikimet e Bundesligës, trajneri i Vllaznisë është pyetur veçanërisht për ndeshjen derbi të kësaj jave në kampionatin gjerman mes Këlnit dhe Bajern Leverkusenit. Brdariç ka luajtur dikur për të dyja skuadrat, ndërsa sot është krenar që drejton Vllazninë. Ai flet me shumë pasion për eksperiencën në Shkodër, ndërsa premton se ka ende për të arritur si trajneri i kuqebluve. “Më pëlqejnë sfidat. Të jesh i suksesshëm në rrethanat që ndodhem në Shqipëri nuk është e lehtë”, thotë ndër të tjera gjermani për aventurën e deritanishme.

brdaric 1

Tomas, që nga vera e vitit 2020 drejtoni Vllazninë në kampionatin shqiptar, çfarë ju bindi të zgjidhnit këtë rrugë?

Vllaznia është një klub me traditë të madhe në Shqipëri, ashtu si tri ekipet nga Tirana. Klubi ka luftuar në vitet e fundit për të shkuar sërish në majë të futbollit shqiptar. Kështu që më kontaktuan duke më pyetur nëse do të kisha dëshirë të isha pjesë e projektit të ringritjes së klubit. Ideja ishte interesante për mua dhe prej 15 muajsh ndodhem këtu. Në sezonin e kaluar ishim pranë titullit duke e humbur atë vetëm për çështje golash, por më pas fituam Kupën e Shqipërisë. Këtë sezon duam ta ndryshojmë këtë gjë.

Besoni te fitimi i titullit kampion në Shqipëri?

Jam një njeri që më pëlqejnë sfidat. Të jesh i suksesshëm në rrethanat që ndodhem nuk është e lehtë. Tani kam një skuadër të mirë dhe tifozët në Shkodër janë shumë krenarë për ne. Është interesante këtu në Shqipëri, ndihem mirë dhe shkoj me shumë dëshirë në punë. Dua të punoj ngushtë me njerëzit e mi me qëllimin për të arritur gjëra të mëdha. Luftojmë së bashku për të bërë më të mirën në ndeshjet e fundjavës.

brdaric

Keni pasur oferta nga klubet në Gjermani së fundmi?

Për momentin jam shumë i lumtur këtu. Nuk e di se ku mund të jetë destinacioni i ardhshëm. Pas sezonit të fundit të suksesshëm kisha mundësi të punoja në Europën Qendrore, por qëndrova në Ballkan, pasi ishim në Kupat e Europës. Për mua si trajner ishte një mundësi e madhe. Jam i hapur për shumë gjëra, por në radhë të parë për mua rëndësi ka Vllaznia. Kam ende shumë gjëra për të arritur këtu.

Çfarë gjuhe flisni në Shqipëri?

Këtu komunikoj me shumë njerëz që vijnë nga vende të ndryshme. Gjuha kryesore është anglishtja dhe serbokroatishtja, pasi shumë lojtarë që kemi janë nga vende ballkanike. Por, ka dhe nga ata që flasin gjermanisht. Përveç kësaj, jam duke mësuar përditë shqip. Këtu mbizotëron një kulturë e përzier dhe mundohem të marr çdo gjë me vete. Mund të mësosh shumë gjëra si trajner, është një sfidë interesante. E përsëris, është një sfidë shumë interesante.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"