“Po më shpërblehet sakrifica, i dua të dy trofetë”, Ardit Hoxhaj: Trajneri më gjeti pozicionin, ja sekreti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2021 | 14:31

“Po më shpërblehet sakrifica, i dua të dy trofetë”, Ardit Hoxhaj: Trajneri më gjeti pozicionin, ja sekreti

Ardit Hoxhaj mund të cilësohet “njeriu i ndeshjes”. Shënoi dy gola, tregoi mjeshtërinë e tij në ekzekutimin e goditjeve të dënimit, si dhe prej këmbëve të tij nis goli i katërt. Vlonjati i Vllaznisë po kalon një nga sezonet më të mira të karrierës dhe tashmë i është ngjitur kreut të tabelës së golashënuesve. Apolonia është “e preferuara” e tij, pasi Hoxhaj i ka shënuar 3 gola gjatë këtij sezoni.

Ardit Hoxhaj Vllaznia

“Ishte një ndeshje që ne e kishim vlerësuar maksimalisht, pasi ekipe të tilla, nëse nuk i vlerëson, të hapin probleme, – thotë për “Panorama Sport” goleadori Hoxhaj. – Ndihem shumë i lumtur që kam arritur të lë gjurmët e mia në këtë ndeshje me dy gola të shënuar, por më i lumtur jam për 3 pikët e marra”. Golat në portat kundërshtare i janë kthyer në normalitet gjatë këtij sezoni, por ndjesia pozitive është gjithmonë në shkallë maksimale për të, sa herë që shënon. “Nuk kam ndonjë dedikim të veçantë për golat e mi në këtë ndeshje, thjesht doja të falënderoja Zotin për këtë moment të mirë që po kaloj këtu me Vllazninë”, thotë sulmuesi.

I ngacmuar për garën e shënuesit më të mirë dhe për sulmuesin më rival, Hoxhaj e ruan modestinë dhe deklaron se për të ka rëndësi skuadra më shumë se gjithçka tjetër. “Personalisht nuk jam shumë i fokusuar në garën për golashënuesin e Superiores, por si më të favorizuar do të shikoja sulmuesin e Kukësit, Eze, pasi dihet që Kukësi është një ekip shumë i mirë, shumë cilësor dhe prodhon lojë, plus që luajnë edhe pa presion këto ndeshje, pasi kanë dalë nga objektivat, mendoj unë”, shprehet Hoxhaj.

SEKRETI

A ka një “sekret” shpërthimi i këtij sezoni për Ardit Hoxhajn? “Sa herë që unë kam luajtur, jam përpjekur të bëj mirë në të gjitha ekipet, – vijon ai. – Ndoshta te Vllaznia është loja sulmuese që ne zhvillojmë si ekip, roli që më ka gjetur trajneri, ka bërë që unë të kem një sezon shumë të mirë dhe me gola. Pastaj, sekret… Nuk do të thosha se ka ndonjë sekret të veçantë, sekreti më i madh është puna. Nëse arrin të punosh, do të shpërblehesh. Jam i bindur se nëse arrin të jesh një profesionist i vërtetë, sërish do të shpërblehesh, kjo nuk ka diskutim”.

Hoxhaj

Po çfarë sheh në të ardhmen e afërt sulmuesi i Vllaznisë? A do të vazhdojë të qëndrojë në Shkodër edhe përtej këtij sezoni, nëse Vllaznia fiton trofe? “E ardhmja nuk mund të parashikohet asnjëherë”, thotë Hoxhaj. “E vetmja gjë që mund të them, është se unë kam një kontratë me klubin e Vllaznisë dhe tashmë jam i përqendruar totalisht në këtë sezon, ku shpresojmë që të arrijmë ta mbyllim me sukses në të dyja kompeticionet. Pastaj do të mendojmë për të ardhmen dhe do të vendosim bashkërisht me klubin, si të jetë më e mira për të dyja palët”, përfundon prononcimin e tij për “Panorama Sport” autori i dy golave për shkodranët në ndeshjen me Apoloninë, Ardit Hoxhaj.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"