Tirana shkëlqen në Fier, tris për gjysmëfinalen, zhbllokohet kroati Bushiç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2015 | 16:56

Tirana shkëlqen në Fier, tris për gjysmëfinalen, zhbllokohet kroati Bushiç

ap-apolonia

APOLONIA TIRANA 0 – 3
GOLAT Pashaj 18′, Taku 57′, Bushiç 85′
APOLONIA: Cakoviç, Nako, Kaja, Dimo, Idrizaj (Rajkoviç 62′), Adenkule (Broshka 66′), Xhorxheviç (Prifti 46′), Gërxho, Fili, Uzuni, Ribaj; (në dispozicion: Miço, Balaj, Andoni, Arapi). Trajner: A. Mërgjyshi
TIRANA: Ed.Bakaj, Pashaj, Muça, Curri, Ristevski, Taku, Karabeci, Muzaka (Hyshmeri 49′), Sefa (Kërçiku 65′), El.Bakaj (Kalari 75′), Bushiç; (në dispozicion: Frashëri, Morina, Kahata, Bulku). Trajner: G. Magani
KARTONË TË VERDHË: Dimo 39′, Cakoviç 53′, Gërxho 70′, Kaja 80′, Nako 66’/ Bushiç 22′, Karabeci 70′, El.Bakaj 72′, Ed.Bakaj 79′, Curri 92′
VËZHGUES: Astrit Canaj (Durrës);
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
GJYQTARET L.Jemini, D.Myftari (Tiranë), R.Çokaj (Lezhë)

Bardheblutë kanë likuiduar lehtësisht Apoloninë në ndeshjen e kthimit, duke fituar me shifrat e pastra 3-0 dhe zhvlerësuar kështu barazimin 2-2 të dy javëve më parë. Golat e Pashajit, Takut dhe Bushiçit (që më në fund u zhbllokua) kanë mjaftuar për të prerë një “biletë” për turin pasardhës. Një Tiranë totalisht ndryshe u pa dje në “Loni Papuçiu”, e cila, jo vetëm mori rezultatin, por bindi edhe me lojë. Një ekip i sigurt në mbrojtje dhe i zhdërvjellët në çdo aksion të ndërtuar. Sakaq, fierakët, edhe pse rezistuan për minuta me tëra, nuk i bënë dot ballë “furisë” bardheblu. Ekipi i Maganit vazhdon të konfirmojë supremacinë e vet, duke korrur sukses edhe pa tifozët në krah.

Pjesa e parë

Takimi nis qetë dhe me të dyja skuadrat që mundohen të fitojnë terren ndaj kundërshtarit. Rastet e pastra në minutat e para mungojnë, teksa loja përqendrohet më së shumti në mesfushë. Madje, edhe ndonjë rast që i afrohet zonës, bllokohet nga mbrojtjet respektive. Bardheblutë krijojnë epërsi dhe në të 16- ën rrezikojnë seriozisht portën e vendësve. Curri pason për Bakajn në qendër. Ky i fundit kroson për Muzakën në të djathtë, godet mesfushori, por topi ndalet nga shtylla. Megjithatë pas 2 minutash zhbllokohen shifrat.

Konkretisht në të 18-ën Tirana gjen golin. Elis Bakaj ekzekuton në perfeksion një goditje këndi, Pashaji ngrihet mbi të tjerët, gjuan me kokë dhe 0-1. Pas golit kryeqytetasit marrin zemër dhe rrjedhimisht aksionet sulmuese shtohen. Në të 19-ën minutë Sefa kombinohet me Takun, që godet drejt portës, por Cakoviç grushton duke shpëtuar portën. Kundërsulm i Apolonisë në të 38-ën me Ribajn që merr një pasim brenda zonës, godet, por topi përfundon shumë larg kuadratit.Edhe Adenkule rrezikon portën e miqve në fundin e këtij fraksioni, por Taku është në pozicion dhe arrin që të neutralizojë gjithçka.

Pjesa e dytë

Tirana mundohet që të gjejë golin e sigurisë, ndërkohë që Apolonia nuk pranon rezultatin dhe vihet në kërkim të golit të barazimit. Në të 53- ën minutë Bushiç fton Sefën në zonë, që tenton të kalojë portierin, por Cakoviç ndërhyn duke shkaktuar faull dhe Jemini akordon penallti në favor të bardhebluve. Elis Bakaj merr përsipër ekzekutimin, gjuan, por portieri serb bën mrekullinë duke e pritur këtë top. Në këtë çast Apolonia mban të hapur kualifikimin.

Por kjo shpresë nuk zgjat shumë. Në të 57-ën kroati i sulmuesit të Tiranës, i cili dje ishte në një ditë të mirë, pasi shmang një nga mbrojtësit fierakë, pason në qendër për Takun, i cili përfiton nga humbja e ekuilibrit të Priftit i vetëm përballë Cakoviç dhe e dërgon me lehtësi topin në rrjetë, 0-2. Ka festë për kryeqytetasit, por vazhdojnë të mos jenë të qetë, pasi e duan edhe një gol sigurie. Në të 64-ën ka goditje dënimi për Apoloninë, ku topi i goditur nga Gërxho përplaset në mur, ka një rrëzim në zonë dhe vendësit pretendojnë 11- metërsh, por kryesori nuk mendon kështu.

Në të 66-ën shënon edhe Curri, pas një krosi perfekt të El.Bakajt, por anësori sinjalizon pozicion jashtë loje. Ribaj niset në kundërsulm në të 74-ën, kroson një top drejt qendrës për Rajkoviç, por ky i fundit nuk e ndal topin brenda kuadratit. Në Fier besojnë ende dhe në të 81-ën Gërxho, nga e djathta, kroson për Ribajn në qendër të zonës që godet me kokë, por topi përfundon mbi traun e portës së Tiranës. Kur po afrohej fundi, Apolonia çekuilibrohet, çka shoqërohet me gabime.

Në të 85-ën gafë e Kajës, i cili kthen një top për Cakoviç me kokë, portieri kishte dalë më shumë sesa duhet, përfiton Bushiç në duelin e shpejtësisë me gardianin serb, gjuan dhe shënon golin e sigurisë. Minutat e fundit shoqërohen me raste, por nuk sjellin më ndryshime. Tirana kalon në gjysmëfinalen e kupës, me rezultatin final 5-2.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"