“Po luajmë kampionatin e jetës”, Emiljano Vila: Duhet të driblojmë dhe më pas ta mposhtim virusin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2020 | 19:50

“Po luajmë kampionatin e jetës”, Emiljano Vila: Duhet të driblojmë dhe më pas ta mposhtim virusin

Mesfushori i Teutës, Emiljano Vila, jep një mesazh mjaft domethënës në këto momente të vështira që po kalon vendi dhe e gjithë bota për shkak të pandemisë së Koronavirusit.

emiliano vila

Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, durrsaku theksoi ndër të tjera se futbollistët po luajnë kampionatin e jetës në këtë moment. Ai tregoi si e kalon kohën dhe stërvitjen individuale që bën. Si për të konfirmuar këtë, Vila vendosi në dispozicion të gazetës edhe matësin elektronik për vrapimet që kishte bërë gjatë ditës së sotme, natyrisht në orën e lejuar.

Emiliano, pas tërmetit që tronditi vendin dhe veçanërisht Durrësin, tashmë vjen edhe përhapja e koronavirusit…

Janë situata të vështira. Me tërmetin i shihnim dëmet, ndërsa këtë virus nuk e dallon dot. Nuk mund t’i karahasojmë të dyja. Është vërtet një situatë e rëndë, që shpresojmë të kalojë sa më shpejt.

Si po e kalon kohën dhe sa e vështirë është për një lojtar të mbyllet në shtëpi?

Jemi larg fushës, aty ku stërvitemi çdo ditë dhe kjo ndikon shumë në anën tonë psikologjike. Megjithatë, kjo që po ndodh është ndeshja më fortë për të gjithë. Duhet të kesh vullent për të qëndruar në shtëpi dhe zbatuar të gjitha këshillat e autoriteteve. Fusha është atje duke na pritur, por njëkohësisht ne po luajmë kampionatin e jetës.

emiliano vila

Keni një mesazh për ata që mezi po e përballojnë këtë situatë të paprecedentë?

Duhet të shpenzoni sa më shumë kohë me familjen. Bëni ushtrime në kushte shtëpie dhe argëtohuni. Ju këshilloj ta mendoni këtë situatë si një ndeshje futbolli, ku virusi duhet dribluar dhe në fund të gjithë bashkë të fitojmë. E rëndësishme është që të qëndrojmë në shtëpi, sepse kështu mbrojmë veten dhe familjen.

Prej datës 13 mars Teuta nuk po stërvitet, ashtu si dhe ekipet e tjera. Ju çfarë keni bërë në këtë periudhë për të ruajtur gjendjen fizike?

Që pas ndërprerjes së kampionatit, stafi teknik ka bërë një plan stërvitor, të cilin po e zbatoj. Po stërvitem në kushte shtëpie, edhe pse nuk është njësoj si terreni sportiv. Dalë për vrap dhe madje sot kam përshkruar 9 kilometra. Është e vështirë, por duhet të durojmë. Mënyra më e mirë është të stërvitemi për të hequr disi mendjen nga ky virus. Unë personalisht po mundohem të shoh edhe ndonjë program televiziv, pikërisht disa gjëra që nuk mund t’i bënim më parë prej kohës së reduktuar që kemi pasur.

Emiljano Vila kilometrat logo

(Parametrat e stërvitjes individuale që ka bërë sot Emiliano Vila, teksa ka vrapuar 9.07 kilometra)

Me shpresën se kampionati do të nisi në muajin e ardhshëm, ku e shikoni Teutën në fund të këtij sezoni?

Në këtë moment nuk mendoj për futboll apo rivalë. Thjesht duhet të jemi të gjithë të bashkuar për të kaluar këtë situatë.

ZAMIR QYPI

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"