“Po lidhemi mirë me njëri-tjetrin”, Bismark ndihet i lehtësuar pas shënimit në miqësoren e fundit: Skënderbeut i premtoj gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2021 | 14:33

“Po lidhemi mirë me njëri-tjetrin”, Bismark ndihet i lehtësuar pas shënimit në miqësoren e fundit: Skënderbeut i premtoj gola

Në ndeshjen e tretë me Skënderbeun në këtë fazë përgatitore, Ngisa Bismark ka gjetur golin e tij të parë me fanellën bardhekuqe. Një sadisfaksion personal për sulmuesin që sheh me ambicie një vend të rëndësishëm jo vetëm te korçarët këtë sezon por edhe në renditjen e golashënuesve.

BISMARK 1

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Bismark ka folur qartë për ambiciet e tij personale pas golit të parë të shënuar. Më pas është ndalur edhe te cilësitë e ekipit dhe rritja potenciale që Skënderbeu duhet të pësojë në tri javët e fundit të fazës përgatitore. Ish-sulmuesi i Kievo Veronës u shpreh i bindur për potencialin që ka ekipi bardhekuq, por kërkon ende pak kohë që të adaptohet për sa i përket sistemit të lojës dhe kombinacioneve në grup.

“Të them të drejtën, rezultatet janë ato që ndikojnë pak në perceptimin e çdonjërit nga ne për ecurinë që mund të kemi, por nuk është kështu. Jemi një ekip i mirë në pjesën më të madhe. Me djem të talentuar dhe që dinë të sakrifikohen për të mirën e skuadrës. Mund të them se po lidhemi mirë me njëri-tjetrin, por kemi ende nevojë për përforcime dhe kohë.

Besoj se gjithçka është në rrugë të mbarë dhe kemi ende tri javë në dispozicion për të mbyllur gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme. Të them të drejtën, edhe unë personalisht nuk jam në formën time më të mirë, ndaj dua ende pak kohë për tu rritur. Besoj se me ndihmën e shokëve po ia dal më së miri. Kam pasur një ndjesi të mirë me grupin e lojtarëve dhe kjo po më ndihmon të bëj më të mirën time në këto momente”, theksoi fillimisht sulmuesi ganez.

GOLAT – Me të gjetur rrugën e rrjetës së parë si lojtar i Skënderbeut në testet miqësore, Bismark pretendon se do të jetë më i lehtësuar tani dhe golat do të vijnë vetë. E rëndësishme, sipas tij, mbetet që në kampionat golat të mos mungojnë dhe të ndihmojë ekipin sa më shumë të jetë e mundur.

“Jam i lumtur që kam gjetur golin tim të parë me këtë fanellë. Besoj se nuk është i rëndësishëm goli sesa fakti që kam shënuar dhe do të jem më i lehtësuar. Janë thjesht miqësore, por gjithsesi është ogur i mirë. Unë jam i mendimit se në kampionat duhet që golat e mi të mos mungojnë. E them këtë me bindje, më shumë do të më pëlqente të shënoja gola decizive trepikëshat sesa shumë gola që nuk mund të vlenin për ekipin”, mbylli prononcimin e tij Ngisa Bismark.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"