Po kalonte moment mjaft të mirë, dëmtohet Asani. Ja kur do të jetë sërish gati për Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2020 | 8:44

Po kalonte moment mjaft të mirë, dëmtohet Asani. Ja kur do të jetë sërish gati për Partizanin

Sulmuesi i Partizanit, Jasir Asani, është një ndër lojtarët që e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer sezonin e ri futbollistik. Shumë minuta për të dhe dy gola të shënuar deri më tani, por ngarkesat e mëdha kanë bërë që ai të pësojë një dëmtim, më konkretisht një tërheqje muskulore. Pasi shënoi në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë në fitoren 5-0 ndaj Ilirisë, 25-vjeçari gjeti rrjetën edhe në sfidën hapëse të Kategorisë Superiore, përballë Kastriotit. Edhe në takimin kundër Kukësit, pavarësisht se nuk shënoi, ishte një ndër më të mirët në fushë, duke vënë shpeshherë në vështirësi mbrojtjen e verilindorëve.
asani melo
Asani është gjithashtu dhe një ndër futbollistët më me shumë minuta në këmbë gjatë tre sfidave të para të këtij sezoni. Në dy takimet e Superiores, sulmuesi anësor luajti 180 minuta, ndërsa në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë, u aktivizua për 68 minuta. Mendohej se sulmuesi do të luante edhe në takimin e radhës përballë Apolonisë, i vlefshëm për raundin e dytë të Kupës së Shqipërisë, por ka pësuar një dëmtim dhe me shumë gjasa, nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin Daja.
Solomon Asani

Asani ishte sot i pranishëm në seancën stërvitore të “demave të kuq”, por e ndoqi atë nga tribuna. Me anë të një postimi të tij në rrjetet sociale, shihej se Asani nuk ishte pjesë e stërvitjes. Sulmuesi 25- vjeçar ka kryer një ego të muskulore, pasi prej 10 ditësh ndiente shqetësime. Pas egos së kryer, ka rezultuar se ka tërheqje muskulore. Mungesa e tij me Apoloninë është thuajse e sigurt, por për fat të mirë të Partizanit dhe vetë Asanit, futbolli shqiptar më pas, do të ketë një “pauzë” për shkak të ndeshjeve të kombëtareve. Sfida e radhës për Partizanin në Superiore është ajo kundër Laçit, një tjetër skuadre rivale, që do të luhet më datë 21 nëntor, në orën 19:00. Asani pritet të jetë i gatshëm për këtë sfidë, pasi periudha e tij e rikuperimit është parashikuar para kësaj date.

Dy gola në tre ndeshjet e para dhe driblime të shumta, Asani do jetë pa diskutim një armë e fortë e Partizanit dhe trajnerit Ilir Daja këtë sezon, që ndryshe nga sezonet e tjera, pa Partizanin të mos përforcohej në merkaton e verës, për shkak të dënimit. Në moshën 25-vjeçare, Asani është në kulmin e karrierës, ku përveç aftësive shumë të mira teknike, ka fituar dhe eksperiencën e duhur për të qenë ndër lojtarët më të mirë në Shqipëri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"