Po kalon një moment jo të mirë, kalendari aleat i Laçit në dy javë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2020 | 13:12

Po kalon një moment jo të mirë, kalendari aleat i Laçit në dy javë

Skuadra kurbinase po kalon një moment jo të mirë, gjë e cila lidhet me eliminimin nga Kupa e Shqipërisë, si dhe humbjet e pësuara radhazi ndaj dy ekipeve pretendente, Kukësi dhe Partizani. Me këto disfata skuadra e drejtuar nga trajneri Armando Cungu ka shtuar shumë pikëpyetje mbi realizimin e objektivit të klubit, që minimalisht kërkon pjesëmarrjen në Kupat e Europës. 

bYLIS-LACI

Duke ditur se nuk kanë mundësi për ta siguruar biletën europiane nga Kupa, tani gjithë potenciali i bardhezinjve do të përqendrohet në kampionat. Për momentin edhe në kampionat nuk renditen mirë, pasi janë të gjashtit me 32 pikë. Me ngjeshjen e skuadrave në renditje dhe ndeshjet që janë në lojë deri në fund, 14, çdo gjë është e mundshme për kurbinasit, pasi matematikisht janë në lojë edhe për titull, pasi janë 10 pikë larg Kukësit të vendit të parë.

Për të realizuar synimin, në ndihmë Laçit tani i vjen edhe kalendari, që në letër është favorizues për të besuarit e trajnerit Cungu. Nesër Laçi është mysafir në Vlorë, ku do të luajë ndaj Flamurtarit të vendit të fundit. Më pas pret Luftëtarin në shtëpi, që praktikisht llogariten gjashtë pikë të mundshme, ndonëse dy skuadrat e fundit kanë treguar se dinë të bëjnë “keq”.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"