“Po kaloj rini të dytë”, rrëfehet basketbollistja e Partizanit: Debutova në kohë lufte, s’kam ndër mend të ndalem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2022 | 20:11

“Po kaloj rini të dytë”, rrëfehet basketbollistja e Partizanit: Debutova në kohë lufte, s’kam ndër mend të ndalem

Ishte viti 1998, kur në moshën vetëm 14-vjeçare, Aida Palko (Çani) do të bënte debutimin e saj në kampionatin e basketbollit për të rritura. Tashmë kanë kaluar rreth 24 vite, por ajo është sërish aty në parket, jo thjesht si një lojtare, por edhe sot një prej më të mirave të kampionatit.

271833732_634208384481532_7324725153665253933_n

Palko është një nga lojtaret më fituese aktualisht në basketbollin shqiptar, teksa në palmaresin e saj koleksionon 8 kampionate kombëtare, 9 Kupa Republike, 7 Superkupa si dhe disa Kupa të FSHB-së. Prej dy sezonesh basketbollistja gjirokastrite është pjesë e Partizanit, ku duket se po kalon një rini të dytë e këtë tregojnë statistikat e shkëlqyera dhe dy trofetë që ka fituar me skuadrën kryeqytetase.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Palko rrëfen eksperiencën e saj të Partizani, por gjithashtu skanon disa prej etapave më të rëndësishme të karrierës së saj. Palko, e cila për disa vite ka qenë pjesë edhe e Kombëtares, komenton gjithashtu edhe situatën në përfaqësuesen kuqezi, teksa e quan të pakuptimtë limitin e moshës të vendosur në skuadër, gjë që ka nxjerrë jashtë loje lojtare, të cilat po kalojnë një formë mjaft të mirë.

 

Aida, vitet kalojnë, ndërsa vazhdoni të mbeteni në një formë të shkëlqyer. Si do ta komentoni eksperiencën te Partizani? – Ky është sezoni im i dytë te Partizani dhe po shkon jashtëzakonisht shumë mirë. Për aq kohë sa stërvitesh sistematikisht, kur ke një grup shumë të mirë vajzash, drejtues shumë të mirë dhe një shef klubi që të përkrah, të gjitha këto të bëjnë që të jesh komode dhe të japësh maksimumin tënd. Kështu që për aq kohë sa ndihem në formë, as që e mendoj tërheqjen.

Partizani ka vendosur të bazohet vetëm te lojtaret shqiptare. Si do ta gjykoni këtë strategji? – Realisht është kthyer në modë që çdo ekip duhet të marrë lojtare të huaja. Unë jam dakord që këto lojtare të vijnë, pasi normalisht e rrisin nivelin e basketbollit në Shqipëri, por nuk duhet që i gjithë kompeticioni të bazohet te lojtaret që vijnë nga jashtë, pasi sigurisht niveli rritet, por nga ana tjetër zvogëlohen hapësirat për lojtaret vendase, të cilat duke qëndruar në stol nuk mund të kenë ngritje. Në sport duhet të luash për t’u përmirësuar. Ndërsa te Partizani, ajo që edhe trajnerja kërkon të tregojë, është se edhe më vajza shqiptare mund të fitohen ndeshje dhe trofe.

271952846_1263153164180446_8457130050191099057_n

Këtë vit për herë të parë po mbahet Liga Unike edhe te femrat. Cilat janë përshtypjet që ju ka lënë pjesa e parë e këtij kompeticioni? – Është diçka shumë e bukur, sepse kjo ndodh për herë të parë. Ne në fakt objektiv kemi kampionatin dhe jo Ligën Unike. Ky kompeticion na shërben për një eksperiencë më tepër. Duke u rikthyer në kohë, e mbani mend debutimin me ekipin e parë? Si ka qenë? Me ekipin e të rriturave kam luajtur që në vitin 1998, kur isha 14 vjeçe. Mbaj mend që atëherë për shkak të luftës ndeshjet bëheshin me grumbullim në Tiranë. Isha pjesë e Luftëtarit, skuadrës së qytetit tim, Gjirokastrës. Nuk e mbaj mend ndeshjen debutuese, por di që jemi përfaqësuar mirë, denjësisht.

Cilat janë ndeshjet më të forta që ju kanë mbetur në mendje? – Sezoni më i fortë ka qenë kur kam luajtur me Flamurtarin. Ishim një skuadër me 5 lojtare shqiptare, ndërsa përballeshim me Tiranën, një ekip jashtëzakonisht të fortë dhe me lojtare të huaja. Mbaj mend ndeshjen finale kur ne ngritën lart trofeun, ishin tre arbitra të huaj. Kundërshtarët aludonin se ne i fitonim ndeshjet me arbitra, ndërsa u treguam të gjithëve në fushë forcën tonë. Bëmë një ndeshje të jashtëzakonshme. Takime që më kanë mbetur në mendje janë disa, por zgjodha këtë për faktorët që ju përmenda, pasi ndoshta ishte edhe më e bukura. Por këtu nuk dua të anashkaloj as ndeshjen që fituam vjet, ku mundëm në finalen e Kupës së Shqipërisë skuadrën e Flamurtarit. Ishte një përballje shumë e bukur dhe me rivalitet të lartë, por në fund fituam ne dhe treguam se ishim më të mirat.

271686132_822855652444412_6865495839072905223_n

A ka ndonjë peng Palko ose diçka që do të dëshironit të ndryshonit në karrierën tuaj? – Jo, të them të drejtën, nuk kam pengje. Në çdo ekip ku kam luajtur realisht jam ndier shumë mirë.

Të kalojmë pak te familja, ku të gjithë keni lidhje me basketbollin… – Sigurisht, bashkëshorti im, Pandush Palko, ka pasur një karrierë të madhe në basketboll. Ndërkohë, gjurmët tona po i ndjek edhe djali, Stiveni, të cilin e kemi furur në basketboll që në moshën 5-vjeçare, ndërsa sot është 10 vjeç dhe aktivizohet me skuadrën Superior.

Çfarë i mungon sot basketbollit në Shqipëri? – Pjesa e investimit. Në momentin që në basketboll do të investohet, atëherë do të rritet edhe niveli. Nuk mundet që një lojtare paradite të jetë në punë dhe pasdite të stërvitet. Normalisht në këto kushte askush nuk mund të japë 100%. Mungesa e një ligji të mirëfilltë për sponsorizimin në sport ka një ndikim shumë të madh. Këtu dihet që primar është futbolli, ndërsa basketbolli mbetet në plan të dytë dhe mungojë investimet. Te meshkujt është pak më ndryshe, pasi edhe investohet, ndërsa te vajzat, përveç Vlorës, skuadrat e tjera nuk bëjnë investime të mëdha.

271794058_661411431673734_8809173792804047781_n

Cili është komenti juaj për ekipin kombëtar? Mendoni që është i nxituar dhe i tepruar një rinovim në të tilla përmasa? – Tani, fillimisht dua të theksoj se niveli i kundërshtareve të Kombëtares ka qenë jashtëzakonisht shumë i lartë. Bëhet fjalë për një divizion ku bëjnë shtete superfuqi në basketboll. Por ajo që nuk arrij të kuptoj është pjesa e moshës që kanë vënë si rregull në Kombëtare. Mendoj që Kombëtarja duhet të përbëhet me lojtaret më të mira dhe më në formë dhe mos të vendoset limit për moshën. Këtë gjë e kam thënë disa herë. Sot Shqipëria përfaqësohet me të gjitha grupmoshat me kombëtaret dhe fare mirë këto lojtare mund të luajnë në grupmoshat e tyre, duke i kaluar të gjitha etapat sipas radhës në ekipet zinxhirë. Kështu që për mua kjo pjesë lë shumë për të dëshiruar.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"