Po fituam me Pogradecin, jemi për 4 vendet e para”, Bizhdili: Ula shpenzimet dhe pata të drejtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2022 | 11:26


Po fituam me Pogradecin, jemi për 4 vendet e para”, Bizhdili: Ula shpenzimet dhe pata të drejtë

Besa ndryshoi strategji në mes të sezonit. Klubi hoqi dorë nga lojtarët me CV, duke kthyer vëmendjen te të rinjtë. Prova e parë i dha një lloj të drejte. Verdhezinjtë fituan me Turbinën, duke “sfiduar” largimet masive në radhët e titullarëve. Është Nexhat Bizhdili që tregon për “Panorama Sport” zgjedhjen e bërë, por nuk ngurron që të flasë edhe për përballjen e sotme me Pogradecin.

Bizhdili-2

“Të gjithë kërkojnë futbollistë me CV dhe i mirëkuptoj. Por mua më lind një pyetje: Çfarë arritëm deri në dhjetor me gjithë ata lojtarë me eksperiencë Superioreje? Renditja nuk e përligji investimin. Jo gjithmonë emrat të garantojnë suksesin.

Prandaj gjykova të shkurtoj gjithë ato paga milionëshe e të besoj te të rinjtë për pjesën e mbetur të sezonit. Një investim i dyfishtë pasi së pari luajnë e fitojnë përvojë e së dyti i kemi aty edhe për sezonin tjetër.

Provën e parë e kaluan, fituan në Cërrik dhe bindën më skeptikët. Ja që të rinjtë, falë dëshirës, ambicies dhe egos, ia dolën. Prandaj unë do vazhdoj të besoj tek ata. Nesër (sot) ekipi luan me Pogradecin dhe psikologjikisht janë lart. Pogradeci ka grup më të fortë se Turbina dhe ne e kemi vlerësuar maksimalisht.

Kam folur me trajnerin Bubeqi dhe disa lojtarë me përvojë e kam kërkuar që këtë ndeshje ta fitojnë. Pres një ndeshje të fortë, të barabartë ku shpresoj që fundi të na buzëqeshë neve.

Do të ishte një trepikësh, që do na mbante në korsinë e duhur. Koshientë për pikët që kemi dhe luftën e fortë, gjykoj se maksimumi ynë do të jetë njëri ndër 4 vendet e para. Do përpiqemi ta realizojmë, duke afirmuar talente”, përfundoi numri një i klubit.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL