“Po e analizojmë Besëlidhjen, kanë edhe ata pika të dobëta”, Abazaj: Ndalohen gabimet, tensioni të dëmton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2020 | 19:37

“Po e analizojmë Besëlidhjen, kanë edhe ata pika të dobëta”, Abazaj: Ndalohen gabimet, tensioni të dëmton

Pogradeci është i gjithi me “sy” te Besëlidhja. Kanë mbetur edhe 4 ditë kohë nga finalja e “play off”-it dhe Ardjan Abazaj është duke u marrë me çdo detaj, që kjo ndeshje t’i vendosë më pas përballë Vllaznisë (ndeshja tjetër shtesë, që do të vuloste ngjitjen në elitë). Veç përgatitjeve në fushë, trajneri ka me merak të madh edhe anën psikologjike.Abazaj222

Një gjë të tillë e deklaron edhe për “Panorama Sport”, teksa fillimisht thotë: “Në radhë të parë kërkoj qetësi, pasi vetëm kështu ne do të japim më të mirën që kemi. Ekipi nuk duhet të jetë aspak i tensionuar dhe i ngarkuar emocionalisht. Dhe për t’ia dalë kësaj, po punojmë fort. Them se çdo gjë do të shkojë në rregull, duke përfituar edhe nga përvoja e futbollistëve”.

Vështirësitë e liqenorëve lidheshin me informacionet e pakta për kundërshtarin, derisa gjithë sezonin kanë luajtur në grupe të ndryshme në Kategorinë e Parë. Gjithsesi, numri një i pankinës duket se po e zgjidh edhe këtë problem. “Po e analizojmë Besëlidhjen. Kemi mundur të sigurojmë disa video që ata kanë luajtur dhe në çdo seancë stërvitore punojmë për të qenë sa më të qartë se ku i ka kundërshtari pikat e forta. Natyrisht që ka edhe pika të dobëta dhe nga këto do të përfitojmë”, saktësoi Abazaj, i cili më tej deklaroi se “Elbasan Arena” do u japë mundësi që të shprehin aftësitë më të mira.Ardian Abazaj

“Ne jemi një ekip që zhvillojmë lojë teknike dhe fusha ka ndikimet e veta në këto raste. Kjo do të jetë në favorin tonë. Natyrisht është e njëjta gjë edhe për kundërshtarin, pasi nga sa kemi parë edhe ata zhvillojnë një lojë teknike. Por ne do të mundohemi që të jemi më kompetitivë në çdo drejtim”. Sa u përket futbollistëve që do të ketë në dispozicion, tekniku është në pozitë komode.

Të rikuperuarit janë duke kapur formën optimale dhe kjo do i japë luksin e zgjedhjes për formacionin. Edhe pse mundohet që të rrisë moralin e të tijve, trajneri është i kujdesshëm kur vjen puna për të bërë parashikime. “Gjithçka është e hapur, nuk ka ekip favorit. Është thjesht një ndeshje dhe nuk ke kohë të rikuperosh. Gjithsesi, unë them se do t’ia dalim”, përfundon Abazaj

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"