“Po ç’të kemi o profe…?!”, Brdariç i turret Vilës, stoli nuk vendos maska. Ja pikantet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2020 | 22:22

“Po ç’të kemi o profe…?!”, Brdariç i turret Vilës, stoli nuk vendos maska. Ja pikantet

Pankina të tensionuara me vendimet e arbitrit, lojtarë që qëndrojnë në stol dhe injorojnë masat “anti-COVID”, si trajneri Tomas Brdariç që e tradhtojnë nervat dhe kapet me mesfushorin Emiljano Vila. Këto, por jo vetëm, janë disa nga pikantet që ju sjell “Panorama Sport”.

Teuta-Vllaznia

* Lojtarët e të dyja skuadrave në stolat respektivë, në vend që të qëndronin larg njëri-tjetrit dhe me maska, duke respektuar protokollin e miratuar, bënë të kundërtën. Ndoshta duke qenë se edhe në orarin e ndeshjes temperaturat ishin të ulëta, ata u panë të qëndronin ngjitur me njëri-tjetrin në pankina. Zhvillimi i ndeshjeve pa tifozë në këtë periudhë për shkak të masave “anti-COVID”, lejon që futbollistët e stolit të qëndrojnë edhe në tribunë gjatë ndeshjes, në mënyrë që të respektojnë distancimin social.

* Në minutën e 30-të, Emiljano Vila bën një ndërhyrje të rëndë ndaj Isaevskit dhe ndëshkohet me karton të verdhë. Mirëpo, faulli u bë në anësore, pikërisht afër pankinës së Vllaznisë. Trajneri gjerman, Tomas Brdariç, u acarua aq shumë në atë moment, saqë nisi t’i kërkonte llogari lojtarit të Teutës për ndërhyrjen. Vila ruajti qetësinë, duke mosreplikuar me gjermanin, ndërsa menjëherë arbitri Hamiti këshilloi trajnerin që të jetë më i qetë.

* Presidentët e Teutës, Edmond Hasanbelliu dhe Ardian Bardhi, e ndoqën ndeshjen në tribunën VIP në shoqërinë e sponsorit të Vllaznisë, Alban Xhaferi, si dhe kryetares së bashkisë Shkodër, Voltana Ademi.

* Shumë ish-ë në fushë dhe stol në ndeshjen e djeshme. Arsid Kruja, Dajan Shehi, Florind Bardulla dhe Eni Imami rikthehen në Durrës si kundërshtar. Nga ana tjetër, Rubin Hebaj, Sivio Zogaj, Denis Pjeshka dhe Ildi Gruda u përballën me ish-ekipin, Vllazninë. Interesant është fakti se kuqeblutë drejtohen nga një gjerman, ndërsa Teuta nga një shkodran si Edi Martini, që ka qenë edhe trajner i Vllaznisë.

* Pas rrëzimi të Da Silvës në minutën e 6-të në duelin me Arapin, i gjithë stoli i Vllaznisë ngrihet në këmbë dhe kërkon 11-metërsh.

* Shpesh nga pankina zv.trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori, i thërriste mbrojtësit Eni Imami me këto fjalë: “Qetë Eni, qetë!”. Ndërsa afër fundit u dëgjua të thoshte: “Hajde çuna, mbajeni dhe pak lojën!”

* “Dajan, Dajan! Shko në vendin tënd shpejt”, ishte britma nga tribuna qendrore e ish-administratorit të Vllaznisë, Suad Lici, për Shehin.

* Trajneri i Teutës, Edi Martini, gati sa nuk hyn në fushë, pasi Hamiti ndëshkoi me të verdhë Todorovskin. “O Hamit, po çfarë bën mor burr?!”, i drejtohet trajneri arbitrit. Në një moment shkodrani pyet Aleksin. “Albono, çfarë ke?”. Mesfushori i jep këtë përgjigje: “Po ç’të kemi o profe…?!”

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"