“Plumbi në gojë” si “Fisheku në Pajë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2018 | 21:08

“Plumbi në gojë” si “Fisheku në Pajë”

UVIL ZAJMI

Uvil Zajmi

Titulli kryesor dje në faqen e parë të “Panorama Sport, “Të fus plumbin”, me të cilin presidenti i një klubi futbolli kërcënonte lojtarin kundërshtar, më ofroi një ndjesi aspak të këndshme. Ishte në kufijtë e një tronditjeje sportive, por shumë më tepër njerëzore e qytetare. Për një çast m’u kujtua një dramë e famshme e Fadil Krajës vite më parë me titull “Fisheku në Pajë” e luajtur nga aktorët legjendarë të Teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Ndoshta nuk ka shumë lidhje, por ai titull më riktheu trishtueshëm te shfaqja, te ngjarjet, që papritur disa dekada më vonë më shfaqen në një ndeshje futbolli, të ngjashme me ato të viteve 97-të.

Nuk jam dhe nuk dua të marr rolin e editorialistit se ka të tjerë, por duke qenë i pranishëm çdo fundjavë në ndeshje, evenimente të aktiviteteve kombëtare dhe i pandarë nga futbolli me problemet apo risitë e tij, më shtyu të kem një reagim të tillë. Kur një ndeshje futbolli nuk është më e tillë, por ka si motiv: “Të fus plumbin” shkojmë shumë pranë me “Fishekun në Pajë”, kur shfaqja artistike, gara sportive, pra, kthehet në agresive, kërcënuese. Po ndeshemi me një fenomen jonjerëzor, madje në kufijtë “kriminalë”, pas të cilit rezultati sportiv nuk ka asnjë vlerë, as për klubin, as për familjarët, as për spektatorët dhe as për vetë protagonistët.

korabi vllaznia b

Shpesh më takon të jem i pranishëm në fusha të nxehta, tifozëri që ofendojë arbitrat dhe kundërshtarët, tension, ndëshkime midis lojtarëve, pastaj në fund gjithçka mbyllet me një “happy end” sportiv, me gjakra të ulura dhe përqafime në largime. Në Vlorë, shprehja e njohur sistematike e tifozërisë vlonjate me “motrën” në qendër të saj, tashmë jemi mësuar dhe pak na bën përshtypje. Madje ka raste që e dëgjojmë edhe në stadiume të tjera, ku tentohet edhe të imitohen vlonjatët. Nuk është normale sigurisht, por nisur nga fakti se shprehje të tilla janë normale për qytetin, tifozërinë dhe të folurën e përditshme, e kemi anashkaluar, pa i dhënë rëndësi dhe vëmendjen.

Por kur përballemi me “të fus plumbin”, raportet, gjykimi, dhe reagimi qytetar e ai sportiv ndryshon. Aq më shumë kur një fakt i tillë ndodh në Peshkopi apo në “Dibrën Sportive”, siç thotë Ismet Bellova në librin e tij. Nuk e ka në traditë ai qytet, ai popull, dikur protagonist në krye të elitës në futboll, volejboll dhe alpinizëm një të “fus plumbin”. Ashtu si edhe Shkodra e kulturës të godasë, të ofendojë e kërcënojë një trajner. Në raste të tilla morali, mesazhi për të gjithë, veçanërisht për rininë, mjedisin, klubin aktivitetin, shoqërinë është më shumë se negativ. Nuk mjaftojnë situatat e tensionuara çdo fundjavë për arbitrat, kundërshtarët, me një mijë pretendime e ankesa për “padrejtësi”, “trukime”, ndëshkime nga KD, por vjen edhe kjo e fundit “të fus plumbin”…

Është tërësisht jashtë kornizave sportive e njerëzore. Nuk besoj se ai person që është shprehur “se do të fus plumbin” do të ketë pasur edhe armën me vete, ashtu si ai në Athinë pak javë më parë, pasi do të ishte fundi i një fundi të pashembullt, që nuk do t’i shërbente askujt. Është e paimagjinueshme që në mjedise sportive mbërrin një kërcënim ekstrem deri në humbje jete. Këtu pastaj vetëm për argëtim, miqësi dhe mikpritje nuk bëhet më fjalë. Sa mbrapa në kohë na ka kthyer mentaliteti me frazën “të fus plumbin”! Mendonim se i kishim lënë pas ato fenomene në një ndeshje. Pa dyshim, në një përballje sportive ka gjithçka brenda 90-të minutave në aspektin e garës, por me përjashtim të “plumbit”. Nuk e kemi traditë. Ne gjithmonë u jemi referuar vendeve më të zhvilluara qoftë edhe në sport, që një ndeshje në fundjavë në stadium, pra, është shumë më shumë se “të fus plumbin”…

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"