Plot 12 sezone në Kategorinë e parë, Bardhi: Më bind sulmi, Besëlidhja do ngjitet në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2020 | 23:01

Plot 12 sezone në Kategorinë e parë, Bardhi: Më bind sulmi, Besëlidhja do ngjitet në elitë

Besëlidhjes i është bërë “fiksim” ngjitja. U bënë 12 sezone që militojnë në Kategorinë e Parë dhe në Lezhë janë gatigati të bindur se ky do të jetë i fundit. Pasi kanë grumbulluar 6 pikë në 180 minutat e para dhe me goleada, u lind zyrtarisht e drejta që të pretendojnë elitën. Këtë e thotë edhe Sinan Bardhi, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”. Ai është më shumë se i kënaqur nga puna dhe rezultatet e ekipit në dy javët e para dhe sidomos nga sulmi.

Bardhi

Skuadra është pushim këtë fundjavë, por edhe tjetrën (prej kalendarit), ndaj prej ditësh janë përqendruar te java e 4-t. Luajnë me Burrelin dhe qëllimi është vetëm fitorja. “Objektivi i Besëlidhjes tashmë është i njohur nga të gjithë, duam ngjitjen në Superiore. Për ta realizuar këtë, po punojmë fort. Nisja e kampionatit me dy fitore radhazi, në shtëpi dhe transfertë, madje me goleadë, flet qartë për seriozitetin e punës sonë. Jam i lumtur që e gjithë skuadra po funksionon ashtu siç duhet, pra të gjitha repartet po koordinohen profesionalisht.

Sulmi është në lartësinë e duhur, pasi shumica e golave janë shënuar nga lojtarët e vijës së parë. Tani është periudhë pushimi dhe do të mund ta rinisim kampionatin vetëm në datën 28 nëntor. Gjatë kësaj pauze kemi planifikuar të zhvillojmë ndeshje miqësore, për ta mbajtur skuadrën të karikuar. Ky pushim po na ndihmon disi në rikuperimin e futbollistëve të dëmtuar. Vëmendja jonë është përqendruar tani te ndeshja e radhës ndaj Burrelit. Besoj te rezultati pozitiv, pasi edhe objektivi im personal është të vijoj me sukses karrierën time në krye të Besëlidhjes”, përfundoi numri një i pankinës së lezhjanëve.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"