Plori ul euforinë: Rruga drejt elitës, shumë e vështirë, e kaluara i mbetet historisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2020 | 10:40

Plori ul euforinë: Rruga drejt elitës, shumë e vështirë, e kaluara i mbetet historisë

Pas fitores së të mërkurës ndaj Partizanit, ndeshje e vlefshme për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, Besëlidhja sot pret në stadiumin e saj Tërbunin, në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të të Kategorisë së Parë. Skuadra lezhjane vjen në këtë sfidë me një moral shumë të lartë, sepse realizoi një prej fitoreve më të bukura të dekadave të fundit, duke thyer kampionët e Shqipërisë. 

elvis plori

Megjithatë, objektivat madhorë Besëlidhja i ka në kampionat, pasi kërkon që të ngjitet në Superiore, një objektiv për të cilin po lufton për 12 sezone me radhë. Trajneri Elvis Plori në deklaratën e tij në prag të ndeshjes ndaj Tërbunit kërkon që ta ulë euforinë në radhët e skuadrës pasi i pret një sfidë shumë e rëndësishme. Ja si u shpreh Plori në prononcimin e tij, një ditë para ndeshjes kundër pukjanëve:

Beselidhja foli i dyte

“Gjithçka që ka kaluar le t’i mbetet historisë, si ndjesitë negative ashtu edhe ato pozitivet. Ne nga ato vetëm duhet që të nxjerrim mësime, pasi duhet të shikojmë përpara. Nesër (sot) këtu do të ndeshemi me Tërbunin, një skuadër që nuk duhet ta vlerësojmë nga pozicioni që mban në tabelën e renditjes, por si një kundërshtar shumë serioz. Në ndeshjen ndaj Tërbunit vijmë pas dy fitoresh të rëndësishme. Kemi bërë një fillim të mbarë për vitin 2020 dhe tashmë shpresoj që ta vazhdojmë këtë ecuri. Mund të them se jam i kënaqur me skuadrën, pasi ajo po funksionon nga të gjitha pikëpamjet dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme për një skuadër që kërkon ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Shpresoj që edhe ndaj Tërbunit ekipi të japë më të mirën dhe se futbolistët do ta vijojnë shpirtin e garës ashtu si në dy javët e shkuara të këtij viti. Por, të jemi realistë, rruga drejt objektivit është mjaft e vështirë pasi ende jemi larg kreut, ndonëse jemi në vend të dytë. Megjithatë, koha që kemi në dispozicion na mban në lojë. E respektoj Tërbunin pasi aty kam një pjesë të historisë së suksesshme, por puna jonë si trajner na detyron të punojmë me përkushtim kudo që të drejtojmë teknikisht”, theksoi tekniku shkodran i Besëlidhjes, Elvis Plori, i cili pret një tjetër përgjigje pozitive nga të tijtë.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"