Plori tregon punën te Kastrioti: Nuk nxitohemi, do jemi të kompeltuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2018 | 18:40

Plori tregon punën te Kastrioti: Nuk nxitohemi, do jemi të kompeltuar

Te Kastrioti nuk ka pushim, pasi po vazhdon puna intensive për kompletimin e skuadrës së re, e cila më 25 qershor duhet të jetë rreth 80 për qind e kompletuar, pasi është vendosur kjo datë për zbritjen në fushën e blertë dhe nisjen e përgatitjeve. Pas rreth dy javëve përgatitje dhe seleksionime, të përzgjedhurit do të nisen në fazë përgatitore, për të cilën ende nuk është caktuar vendi se ku do të zhvillohet.

Trajneri Elvis Plori, së bashku me drejtuesit e klubit, kanë nisur nga puna për krijimin e skuadrës së re. Fillimisht u kompletua stafi dhe tashmë gradualisht skuadra po merr formë. Në një intervistë të shkurtër për “Panorama Sport”, trajneri Plori flet për punën e bërë gjatë këtyre ditëve, si dhe deklaron se çdo gjë do të jetë e mirëorganizuar. Sipas trajnerit, koha është e mjaftueshme deri në startin e sezonit.

elvis plori

Plori, keni 10 ditë në krye të Kastriotit, çfarë ka ndryshuar gjatë kësaj periudhë?

Nuk ka shumë për të thënë për këto 10 ditë, pasi është një periudhë pushimi për lojtarët dhe nuk jemi të angazhuar në stërvitje. Kemi ndërtuar stafin dhe jemi duke ndërtuar skuadrën, por me qetësi dhe maturi, sepse nuk duhet të nxitohemi.

Shumë emra janë lakuar, por ende asnjë zyrtarizim, cila është arsyeja?

Emrat lakohen, sepse kjo është koha kur lojtarët lëvizin nëpër ekipe. Për ne është pak shpejt të vendosim, por ju garantoj se jemi duke bërë një punë të mirëorganizuar dhe me një përkushtim të madh nga të gjithë.

Cili është reparti që ka nevojë urgjente për ndërhyrje?

E kam thënë që në fillim, për të qenë një ekip i kompletuar duhet të ndërhyjmë te çdo repart me përforcime.

Po punohet edhe me rinovimet, por vetëm një pjese të lojtarëve u është ofruar mundësia për të vazhduar. Çfarë do të ndodhë me pjesën tjetër?

Lojtarëve që kanë dhënë një kontribut të madh për ngjitjen në Kategorinë Superiore, u është bërë direkt oferta për të qenë pjesë e Superiores. Por nuk mund të jetë i gjithë grupi, se pastaj ne flasim kot për përforcime. Vendin e dikujt do e zënë ato që do marrim.

Liridon Pasha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"