Plori “skanon” Besëlidhjen: Kam ekip kampion, vendi i tretë është provizor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2019 | 19:36

Plori “skanon” Besëlidhjen: Kam ekip kampion, vendi i tretë është provizor

Elvis Plori “skanon” Besëlidhjen. Trajneri 43-vjeçar duket i bindur për cilësinë e ekipit që drejton, aq sa paralajmëron se shumë shpejt do ta marrin kreun. 

elvis plori

Humbjet e pësuara i quan aksidentale, ndërsa evidenton se asnjë skuadër nuk krijon më shumë sesa e tija. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës lezhjane saktëson se vendi i tretë është provizor dhe misioni “Superiore” nuk do të kompromentohet.

“Që kur ka nisur kampionati, jam ndier optimist, pavarësisht pozicionit momental që mbajmë në klasifikim. Në të gjitha ndeshjet, pa përjashtim, Besëlidhja e ka kontrolluar lojën mbi 70% të kohës. Ky është një tregues që mund ta kenë vetëm ekipet kampione, ndaj jam besimplotë. Kualiteti i lartë që ka ky ekip, shprehet në golavarazh. Jemi barazim me kreun sa u përket rrjetave të shënuara, ndonëse kam ende kritika për sulmin.

Edhe në mbrojtje nuk jemi keq, madje dy golat e pësuar më shumë se vendi i parë mund t’i quaj aksidentalë dhe jo dy, po katër syresh. Në 9 takime të zhvilluara, skuadra ime ka krijuar raste me bollëk, aq sa në një ndeshje të vetme, mund të kemi prodhuar më shumë se gjysma e grupit tonë. Nëse do t’i analizonim dy humbjet e vetme, ne e kemi kontrolluar lojën, kemi krijuar raste të pafundme dhe kemi goditur shtyllat disa herë. Deficiti i pikëve ka ardhur vetëm nga fati. Por, besoj se edhe ai tani do të bëhet aleati ynë dhe se sulmi do të zhbllokohet totalisht, duke e rregulluar shënjestrën”, u shpreh fillimisht shkodrani.

Transferta – Elvis Plori as që e mendon humbjen në Peshkopi. Por edhe nëse ndodh më e keqja në këtë përballje delikate ndaj rivalëve direkt, ai saktëson se nuk rrezikohet asgjë. “Tani jemi të përqendruar te transferta që do ta zhvillojmë në Peshkopi ndaj Korabit, të cilën po e vlerësojmë aq sa i takon. Nuk e mendoj humbjen ndaj këtij kundërshtari, por nëse ndodh nuk do të na penalizonte dhe as do të na vendoste në pozitë të vështirë.

Pjesa më e madhe e pikëve është në lojë, deri tani janë konsumuar vetëm 1/3 e tyre. Nga përvoja ime e deritanishme si trajner në Kategorinë e Parë, ekip më të mirë se Besëlidhja nuk më ka rënë në dorë. Ke dëshirë ta stërvitësh, ka grintë në lojë dhe krijon. Shkurt, ka kualitete. Besëlidhja është një ekip agresiv, kontrollon lojën, godet portën, gjatë gjithë kohës e mban nën presion kundërshtarin, ndaj i takon të ngjitet në elitë”, përfundoi trajneri i Besëlidhjes.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"