Plori: Pres 2 afrime dhe jemi OK, gati për ta nisur me pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2018 | 10:49

Plori: Pres 2 afrime dhe jemi OK, gati për ta nisur me pikë

Trajneri i Kastriotit, Elvis Plori, mendon se ekipi tij është 80 për qind i kompletuar në prag të startit të kampionatit. Sot në 16:45 krutanët luajnë në Gjirokastër ndaj Luftëtarit, teksa do të kërkojnë të marrin pikë.

plori1

“Jam i kënaqur me punën që kemi bërë deri më tani, normalisht duke u bazuar te faza përgatitore, që e zhvilluam me kushte shumë të mira dhe mund të them se ishte luks për një ekip shqiptar. Lojtarët kishin vlerësim maksimal për punën dhe jam shumë i kënaqur për impenjimin gjatë seancave dhe miqësoreve që zhvilluam”, deklaroi fillimisht Plori në bisedën për “Panorama Sport”. I pyetur sa e kanë bindur lojtarët që kanë qenë dilemë për të firmosur këtë periudhë, trajneri shkodran u shpreh: “Jo të gjithë lojtarët më kanë bindur dhe për këtë jam konsultuar me stafin, drejtorin dhe presidentin për afrime të tjera. Gjithsesi, këto janë pjesë e futbollit, por jemi munduar të kemi në dispozicion lojtarë, të cilët iu përgjigjen ideve dhe objektivave që ka klubi”.

kastrioti

Ndërkohë, për Plorin sot është debutim në një stol të Superiores, pasi asnjëherë në të kaluarën nuk e ka nisur me një skuadër që nga fillimi në elitën e futbollit shqiptar. “Ndihem mirë dhe i gatshëm. Që në momentin që më është ofruar kjo detyrë, adrenalina për këtë mision është rritur dhe jam shumë entuziast për sfidat në Superligë. Të gjithë e dimë se është e vështirë, por kjo e bën më të bukur. Dëshira është shumë më e madhe për të punuar kur ka vështirësi”, theksoi shkodrani, që do të kërkojë të marrë pikë në transfertën e Gjirokastrës.

hs

“Shorti na ka vënë përballë ekipit të Luftëtarit. E dimë mjaft mirë se kush është Luftëtari dhe çfarë surprize ishte në kampionatin e fundit. E njoh mirë si ekip, por ne kemi punuar për këtë ndeshje me aq mundësi sa kemi pasur. Them se do të japim maksimumin, të tjerat mbeten për t’u parë. Mendoj se skuadra 80 për qind është e kompletuar, por do të bëjmë dy afrime pa u mbyllur merkatoja. Kastrioti i ka objektivat e qarta, pra duam të qëndrojmë mes 10 ekipeve më të mira. Jam optimist se do t’ia dalim”.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"