Plori polemikë me Kridens Metën, Egbonë e çmend goli dhe Vangjeli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2020 | 20:54

Plori polemikë me Kridens Metën, Egbonë e çmend goli dhe Vangjeli

Tifozët e Tiranës mbeten origjinalë. Dje në shkallët e karshisë ishin vendosur disa postera tifozësh, për të simuluar qenësinë e përkrahësve në stadium. Pas ndeshjes, posterat janë larguar.

Posterat tifozet e Tiranes

Masa të rrepta në hyrje të stadiumit, me stafin bardheblu që maste temperaturën për çdo të pranishëm në stadium.

Besëlidhja del e para nga dhomat e zhveshjeve. Skuadra e Plorit priti 3 minuta derisa bardheblutë dolën në fushën e lojës.

I pranishëm në stadium, presidenti i Tiranës, Refik Halili. Po kështu, të pranishëm presidenti i Besëlidhjes Gjokë Noka, ishin Artan Djala, Bledi Devolli, si dhe shefi i gjyqtarëve Sokol Jareci.

Tribuna e gazetarëve dhe ajo “VIP” ka qenë pothuajse e zbrazët. Ndryshe nga takimet e tjera, në stadium nuk ishin më shumë se 30 vetë.

Halili Osmani Tirana

Tefik Osmani dhe Grent Halili nuk kanë luajtur në këtë ndeshje. Të dy për probleme dëmtimi. Osmani ka dhimbje mesi, ndërsa Halili ka një problem të vogël në kofshë.

Gjatë lojës, Idriz Batha kapet me gjyqtarin e ndeshjes Orlando Kuka. Ky i fundit jep një faull, por për mesfushorin prekja nuk ekziston. “O Orlando na lër të luajmë”.

Edhe fotografët nuk lejohen në pistë. Ashtu si edhe gazetarët, edhe fotoreporterët dje punonin nga tribuna e mediave.

Pas shënimit të golit, Elton Kale bën zemrën me dorë, duke ia dedikuar rrjetën vajzës që e ndjek nga televizori.

Egbo u flet anglisht lojtarëve të huaj të skuadrës së tij, ndërsa Plori gjatë gjithë ndeshjes ftoi skuadrën e tij të luante me pasa.

Gentjan Muça, emri i të cilit ishte në protokoll, ndodhej në tribunë, duke ndjekur takimin si civil. Në fakt, ai ishte projektuar si titullar, por një problem në këmbë bëri të dalë nga 11-shja.

Pas hyrjes së Hasanit në lojë, Torasa spostohet në krahun e djathtë në vend të Kobinës.

Nuk ka paqe për trajnerin e Tiranës. “O Kristi, o Kristi, o Kristi. Shkundu, tregohu i kujdesshëm hape lojën”, bërtet Emanuel Egboja në një moment të lojës.

Emanuel Egbo

Polemikë e stafit të Besëlidhjes me Plorin që kapet me Kridens Metën për ndërrimin pasi një lojtar i lezhjanëve, Përgjini, është i dëmtuar, por nuk mund të zëvendësohet. Plori kërkon “Pse, pse”, ndërsa Meta i shpjegon që ka harxhuar tri setet e ndërrimeve. Lezhjanët luajnë tri minutat shtesë me një lojtar më pak.

Menaxherë të huaj ishin të pranishëm dje në stadium për të ndjekur disa nga lojtarët e Tiranës. Në shënjestër ishin Ismajlgeci, Çelhaka e lojtarë që mund të shiten nga klubi.

Pothuajse të gjithë kanë qenë të relaksuar, ndërkohë që titullarët që shpresonin të bënin pak pushim janë zhgënjyer. Gjithsesi, ata do të kenë mundësinë që sot të lihen pushim nga stafi teknik.

Në fund të ndeshjes, Majkëll Ngo ka qenë i mërzitur. “Dreqi e mori, nuk shënova dot gol”, tha me batutë anglezi i bardhebluve.

Fitorja 5-1 me Besëlidhjen është sfida e pestë që bardheblutë fitojnë me 4 gola diferencë këtë sezon mes Kupës dhe kampionatit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"