Plori: Mbrojtësit bënë gabime foshnjarake, Rrahim nuk do të jetojë në Krujë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2018 | 18:00

Plori: Mbrojtësit bënë gabime foshnjarake, Rrahim nuk do të jetojë në Krujë

Trajneri i Kastriotit, Ervis Plori foli për mikrofonin e “Supersport” pas ndeshjes, ku u shpreh i zhgënjyer nga loja që skuadra e tij shfaqi në fushën e lojës. Sipas Plorit, lojtarët nuk treguan grintën e duhur, teksa bënë gabime foshnjarake në mbrojtje. Në fund tekniku shkodran foli edhe për çështjen “Rrahim”.

Plori

 Humbja e tretë radhazi dhe një lojë e dobët…

Më tepër më ka mërzitur loja. Nuk ishte pasqyrë e ndeshjeve të tjera. Jam i mërzitur për mënyrën si po i pësojmë golat. U mundova që të ndryshoja diçka, për të bërë lojë më sulmues dhe të rihap takimin, sulmuesit nuk po konkretizojnë.

Pësimi i golave në minutat e para në 3 ndeshjet e fundit… 

Tregojnë tjetër karakter gjatë fillimit të ndeshjes. Skuadra duhet të luajë më thjeshtë në minutat e para. Një sulm frontal i Kamzës dhe një neglizhencë e mbrojtjes na shkaktoi golin e parë.

Do të ndryshosh diçka në vijim?

Ne duhet të marrim masa mirë dhe duhet të ndryshojmë diçka, për të mos pësuar gola në këtë mënyrë. Nuk them që jemi skuadër e cila meriton të hapet në fushën e lojës. Skuadra ka mundësi shumë më tepër. Kam besim te skuadra. Këto rezultate erdhën si pasojë e shortit. Nuk ishte i mirë shorti. Unë kam besim, skuadra mund të luaj futboll. Më bëri përshtypje grinta, nuk ishte në nivelin e duhur.

Rreziku i zonës së ftohtë…

Më prishi balancat Shehu. Mu desh të filloja nga fillimi me Henrin i cili është i huazuar nga Partizani. Lojtarët e tjerë që kanë ardhur i kemi pritur shumë kohë më parë. Kjo është frika e imja, lojtarët kanë ardhur në minutat e fundit.

Për gabimet e krahëve të mbrojtjes…

Atë theksova dhe në ndeshjen e parë. Ato ishin gabime foshnjarake. Nuk kam qenë i kënaqur edhe në ndeshjen tjetër me lojtarët e krahut. Unë do ta shikoj më së miri këtë pjesë. Aty po shikoj probleme.

Çfarë po ndodh me Rrahim?

Ka pasur ca probleme. Ka ardhur me bujë të madhe. Nuk është respektuar kontrata. Ai i ndryshoi kushtet gjatë rrugës. Ai nuk donte të jetonte në qytetin e Krujës, kërkonte një jetë tjetër. Unë e kam lënë të qetësohet pak dhe pastaj të shohim.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"