Plori kërkon reagim: Erzenin nuk e diskutojmë, presim justifikim zyrtar të Shetës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 29, 2020 | 12:05

Plori kërkon reagim: Erzenin nuk e diskutojmë, presim justifikim zyrtar të Shetës

Të premten pasdite Besëlidhja mbylli javën stërvitore për llogari të sfidës ndaj Erzenit, e cila do të zhvillohet sot në orën 14:00 në stadiumin e Lezhës. Ndeshja ndaj shijakasve do të mbyllë edhe fazën e dytë, ku Besëlidhja do të tentojë afrimin me kreun, ndërsa Erzeni për t’u përfshirë në katërshen e parë të luftës për një vend në Superiore.Plori

Trajneri i lezhjanëve, Elvis Plori, në deklaratën e tij për “Panorama Sport”, në prag të ndeshjes ndaj Erzenit, tha: “Kemi bërë një gabim shumë të madh në ndeshjen e fundit ndaj Dinamos duke e humbur atë, gjithsesi ne do të shohim përpara. Autokritika më e mirë për ne është që të fitojmë ndeshjen e radhës, e cila do të na qetësonte.

Në analizën e zakonshme pas takimit me Dinamon jemi ndalur gjatë për shkaqet që sollën humbjen. Analiza dhe zotimi i të gjithë futbollistëve më bën optimist për këtë ndeshje dhe ecurinë që do të kemi deri në fund të kampionatit. Erzenin nuk duhet që ta diskutojmë në shtëpi, por për të arritur këtu duhet që të luftojmë me grintë, entuziazëm dhe këmbëngulje. Kam besim se kjo Besëlidhje që kam në dispozicion është e aftë që të rikuperojë realisht nga të gjitha pikëpamjet.

Nuk duhet që të jemi pesimistë për diferencën e pikëve ndaj kreut pasi kemi përpara edhe 1/3 e pikëve dhe për më tepër 6 pikë do t’i ndajmë me skuadrën e kreut dhe gjithçka është në dorën tonë. Besëlidhja do të luftojë për tu ngjitur në Superiore pa nevojën e ‘play off’- it, ndaj na duhet shumë punë”.Beselidhja-540x336

Ndërsa i pyetur për mungesën e gjatë të mbrojtësit Arjan Sheta, i cili nuk është paraqitur farë gjatë kësaj jave stërvitore, trajneri Elvis Plori tha: “Mbrojtësi Sheta ka dalë i dëmtuar nga loja prandaj u detyrova që ta ndërroj. Ka qenë një ndërrim i detyruar në ndeshjen e fundit, ndaj nuk duhet të flasim para kohe derisa ai të justifikohet zyrtarisht.

Tani po shohim se si do të shkojë gjendja apo situata e tij dhe pastaj do të flasim”, deklaroi trajneri i Besëlidhjes. Kujtojmë se mbrojtësi veteran Arian Sheta gjatë gjithë kësaj jave nuk është paraqitur në stërvitje, kjo ka ngjallur dyshime se nuk do të kthehet më, por as nga presidenca dhe as nga stafi teknik ende nuk ka ndonjë reagim zyrtarë, po ashtu edhe vetë mbrojtësi kryeqytetas ka heshtur.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"