Plori, i prerë: Nuk dua asnjë gabim në Shijak, e kam theksuar…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2019 | 12:33

Plori, i prerë: Nuk dua asnjë gabim në Shijak, e kam theksuar…

Të premten pasdite Besëlidhja mbylli javën stërvitore për ndeshjen e sotme me Erzenin, që luhet në Shijak. Në dispozicion të kësaj transferte kanë qenë dy javë kohë, pasi fundjava e kaluar ishte pushim dhe stafi teknik ka punuar mjaftueshëm për ta përgatitur formacionin me karikimin maksimal. 

elvis plori

PLORI 

Trajneri Elvis Plori, gjatë prononcimit në prag të kësaj transferte, për “Panorama Sport” u shpreh:

“Duke shfrytëzuar pushimin e fundjavës së kaluar, punuam fort gjatë këtyre dy javëve stërvitore. Kemi punuar me kujdes e maturi në mënyrë që të minimizojmë gabimet e evidentuara deri tani. Jam i kënaqur me ekipin në stërvitje, ka një impenjim maksimal për të përfituar sa më shumë nga futbollistët dhe kjo është mjaft e rëndësishme. Duke parë renditjen momentale, jam i sigurt se nuk i përgjigjet aspak mundësisë reale të Besëlidhjes, por në sport dhe veçanërisht në futboll, janë shumë faktorë që ndikojnë, përshirë edhe fatin”.

“Në futboll duhet kujdes shumë i madh, pasi gabimet të fundosin, gjithçka që kalon nuk mund të riparohet ndaj në stërvitore e vë theksin në eliminimin e të metave. Kam besim se në transfertën e Shijakut do të kemi edhe fatin aleat. Gjatë këtyre tetë javëve kampionat janë shpërdoruar aq shumë raste, madje dhe shtylla të goditura, sa nuk mund të ndodhin në një sezon të tërë. Shpresoj se ndaj Erzenit futbollistët do t’i zbatojnë detyrat dhe në fund do të shpërblehemi me pikë. Erzeni e meriton pozicionin që zë në tabelë, ka një ekip mjaft të kompletuar, ndaj e kemi vlerësuar maksimalisht. E kam theksuar vazhdimisht se ne duhet ta menaxhojmë sa më mirë situatën në fushë, kjo është detyra jonë, llogaritë e tjera i bëjmë në fund”.

Lezhjanët mund të përfitojnë këtë javë, nëse marrin tri pikët në stadiumin “Tofik Jashari”, pasi mund të favorizohen nga rezultati i dy rivalëve, Korabit dhe Kastriotit, që përplasen mes tyre.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"