Plori i druhet Erzenit: Për Besëlidhjen, si një finale në Shijak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2020 | 11:50

Plori i druhet Erzenit: Për Besëlidhjen, si një finale në Shijak

Besëlidhja është gati për transfertën ndaj Erzenit, e cila do të zhvillohet sot në stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut për llogari të javës së 22-të. Lezhjanët shkojnë në këtë ndeshje pas barazimit dramatik ndaj Korabit në stadiumin “Besëlidhja”.Plori

Sigurimi i kreut nga Kastrioti tri javë para mbylljes së sezonit ka bërë që Besëlidhjes t’i mbetet vetëm alternativa e ndeshjeve shtesë për të pretenduar ngjitjen në Superiore, ndaj këto 3 javë të mbetura duhet t’i vlerësojë si finale për të ruajtur vendin e dytë dhe për të qenë në formë në ndeshjet e “play off”-it.

PLORI – I këtij mendimi është edhe trajneri Elvis Plori, i cili në një prononcim për “Panorama Sport”, thekson se Erzeni është një skuadër me vlera, ndaj dhe duhet kujdes i madh për të mos gabuar: “Gjithçka që ka kaluar nuk zhbëhet, ndaj tani të gjithë vëmendjen e kemi te pjesa e mbetur e këtij sezoni. Radhën e ka transferta ndaj Erzenit, një sfidë që e kemi vlerësuar maksimalisht, pasi të gjitha ndeshjet e mbetura po i konsiderojmë si finale.Beselidhja foli i dyte

Po luftojmë ende për ngjitjen në elitë nga ndeshjet shtesë. Erzeni është skuadër që mund të ishte këtu ku jemi ne apo ndoshta edhe në krye, por nuk e di si i doli gjendja jashtë kontrollit. Në Shijak shkojmë me formacion të plotë fatmirësisht, gati të gjithë futbollistët i kam në dispozicion dhe kjo është pozitive.

Do të bëjmë lojën tonë, duke iu përshtatur stilit të kundërshtarit, pasi ashtu siç e theksova edhe më lart, Erzeni ka skuadër të kompletuar, me elementë mjaft cilësorë. Në Shijak duhet të gabojmë sa më pak që të jetë e mundur, pasi vetëm nga kjo mund të përfitojmë për të marrë atë që duam”, tha dje trajneri Plori.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"