Pllakos heshtja te “demat”, Progni mban gjurin me akull dhe rrezikon Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2017 | 10:58

Pllakos heshtja te “demat”, Progni mban gjurin me akull dhe rrezikon Kukësin

Partizani po përpiqet që ta lërë pas humbjen me Laçin, por të kuqtë nuk dinë ku ta gjejnë forcën për t’u rikthyer. Pas humbjes me Flamurtarin dhe Kamzën, u largua trajneri Mark Iuliano, por lojtarët vijuan me disfata edhe në debutimin e Starovës në krye të ekipit. Me ardhjen e “Bobit” shpresohej përmirësimi i situatës, por pas humbjes në Laç heshtja ka pllakosur edhe më thellë në ekip.

partizani

Për shkak të ngjeshjes së kalendarit, dje të kuqtë kanë nisur përgatitjet për Kukësin. Puna ka nisur, por në kampin e kuq askush nuk ka fjalë për të thënë, pasi nuk e dinë se si dilet nga kriza ku janë futur. Përpara fillimit të seancës, trajneri Starova ka ulur në një nga pankinat e fushës në kompleksin e Kamzës lojtarët që ishin titullarë në Laç si dhe disa senatorë të tjerë.

“Bobi” është munduar në analizën e gjatë të kthejë besimin te lojtarët, pasi vetëm kështu mund të dilet nga situata. Ndonëse në Laç gabuan në çdo aspekt, Starova është përpjekur që t’i prekë në sedër lojtarët dhe jo t’i kritikojë. Lojtarët, të vetëdijshëm për atë që po tregojnë në fushë, gjatë gjithë kohës kanë qëndruar kokulur, pasi në këtë moment u kanë shteruar edhe fjalët.

Nga fundi i analizës, Starovës i është bashkuar edhe drejtori sportiv Antonelo Preiti, që ka mbërritur më vonë. Përgatitjet kanë nisur me probleme, pasi përveç Bathës të pezulluar, në dyshim për Kukësin është edhe Gerhard Progni. 31-vjeçari ka marrë një dëmtim në gjurin e majtë në Laç dhe dje nuk është stërvitur me ekipin, por e ka mbajtur gjurin të fashuar dhe me akull.

Titullarët e ndeshjes me Laçin zhvilluan një seancë të lehtë, ndërsa pjesa tjetër mori ngarkesë të plotë. Progni do të mbahet në monitorim për Kukësin, por e sigurt është se do të ndryshojë sërish rreshtimi i ekipit, jo vetëm nga mungesat, por edhe për mosfunksionimin në Laç.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"