“Pleshti” e injoroi në Champions, Mesi e Grizman kanë humbur… “dashurinë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2019 | 12:45

“Pleshti” e injoroi në Champions, Mesi e Grizman kanë humbur… “dashurinë”

Barazimi 0-0 në shtëpi ndaj Slavia Pragës ishte rezultati i fundit i një serie zhgënjyese për Barcelonën në këtë sezon. Skuadra vuajti shumë për ta thyer kundërshtarin. Dhe njëherë tjetër pamë që Antua Grizman dhe Lionel Mesi ishin shumë të shkëputur nga njëri-tjetri.

mesi grizman

Presidenti i katalanasve, Jozef Maria Bartomeu, shpresonte që me ardhjen e Grizman, skuadra të kishte një hov më të madh në ndeshjet e Champions-it. Përpjekjet për të sjellë në skuadër edhe brazilianin Nejmar dështuan pas një kalvari të gjatë bisedimesh me skuadrën e Parisit.

Ndërkohë, forma e dobët dhe dëmtimet e shumta kanë bërë që skuadra të hyjë në një mjegull nga e cila duket e vështirë për të dalë. Ndeshja e së martës vërtetoi edhe njëherë se skuadra vuan rrjedhshmërinë në repartin e sulmit, kjo pasi Lionel Mesi dhe Antua Grizman e kanë të vështirë për t’u kombinuar midis tyre në mungesë të Luis Suarez, madje kapiteni e injoroi francezin në një moment ku mund të kishte shërbyer për të pasi ai ndodhej i pambuluar. Vetëm katër herë dy sulmuesit i pasuan njëritjetrit në përballjen me çekët që duhet thënë bënë gjithçka për t’i ndaluar.

mesi grizmann

Në katër ndeshjet e Champions-it, të luajtura në këtë sezon çifti Grizman- Mesi numëron vetëm 18 pasime të sakta me njëri-tjetrin. Një shifër shumë e vogël krahasuar me kohën kur në skuadër luante treshja Mesi-Suarez-Nejmar. Duket qartë se Luis Suarez është sulmuesi i preferuar i Mesit, marrëdhënia e të cilëve është e mirë edhe jashtë fushës së lojës. Të dy bashkë ata kanë kombinuar 32 herë në tri ndeshjet e para të Champions-it, ndaj Dortmundit, Interit dhe Slavias. Edhe Osman Dembele që nuk ka luajtur shumë për shkak të problemeve me vazhdimësinë ka kombinuar më shumë me Mesin se bashkëkombësi i tij, Grizman.

Këto statistika flasin qartë për problemet reale të katalanasve, të cilët duhet të punojnë ende shumë për të rritur performancën e tyre në repartin e sulmit. Kapiteni dhe blerja e verës duhet të mësohen se si të luajnë së bashku për të arritur te sukseset në mënyrë që vërshëllimat në ndeshjen e fundit në Champions ndaj Sparta Pragës të kthehen në britma gëzimi. Ndeshja e radhës ndaj Dortmundit në shtëpi është edhe momenti më i mirë për të vërtetuar se të dy ende nuk kanë treguar asgjë nga magjia e tyre.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"