“PlayStation” dhe boks, pasionet e kampionit Maks. Jeta e mbretit të ri të Formulës 1 jashtë cirkuitit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2021 | 22:06

“PlayStation” dhe boks, pasionet e kampionit Maks. Jeta e mbretit të ri të Formulës 1 jashtë cirkuitit

Në Abu Dabi, vetëm disa ditë më parë Formula 1 ka kurorëzuar mbretin e saj të ri. Maks Vershtapen i dha fund dominimit të Luis Hamiltonit, për t’u shpallur për herë të parë në karrierë kampion në kategorinë më të lartë të automobilizmit. I lindur në vitin 1997, piloti holandez njihet për karakterin e fortë dhe agresivitetin në pistë. Megjithatë, talenti i Red Bullit nuk është i fokusuar vetëm te Formula 1. Por, le të njohim botën e këtij kampioni të jashtëzakonshëm jashtë cirkuitit, duke zbuluar pasionet dhe mënyrën se si argëtohet në kohën e tij të lirë.

verstapen

FUTBOLL TAVOLINE– Nëse i referohemi rrjeteve sociale, atëherë pa frikë mund të themi se Maks Vershtapen është i “çmendur” pas futbollit të tavolinës. Shpeshherë kampioni i Formulës 1 ndan për fansat e tij të shumtë momente teksa shfaqet duke luajtur me të afërmit dhe miqtë lojën e futbollit të tavolinës. Nuk ka rëndësi nëse është lojë individuale apo dyshe, Maks gjithnjë shfaqet shumë i përqendruar dhe e përjeton jo pak këtë lojë, ku sigurisht, ashtu sikurse në pistë edhe këtu kërkon vetëm të fitojë. I njëjti diskutim vlen edhe për bilardon, një tjetër hobi i madh i holandezit.

LOJËRAT VIRTUALE– Një tjetër pasion i kampionët më të ri të botës janë lojërat virtuale, e në veçanti “PlayStation”. Në përgjithësi janë lojërat e futbollit ato që e tërheqin më shumë në “PlayStation”, ku shpeshherë ka sfiduar edhe disa nga rivalët e Formulës 1, duke nisur nga Karlos Sainz, për të vijuar me Lando Norris dhe Aleksandër Albon. Ashtu sikurse në pistë për të gjithë këta pilotë, Maks Vershtapen është konfirmuar një kundërshtar shumë i vështirë për t’u mundur edhe në “PlayStation”. Ndërsa kujtojmë që gjatë periudhës së karantinës në vitin 2020, së bashku me Lando Norris, Maks ka marrë pjesë në disa gara “eSport”.

vertapen

MOTORËT E UJIT– Bota e motorëve është gjithashtu edhe pjesë e argëtimit të pilotit të Red Bullit. Përveç koleksionit të makinave që disponon në garazh, Vershtapen është gjithashtu shumë i apasionuar pas motorëve të ujit. Në profilin e tij në “Instagram” gjen me shumicë foto dhe video, në të cilat Vershtapen shfaqet duke dhuruar shou në det. BOKSI- Stërvitja dhe argëtimi shpeshherë koincidojnë në përgatitjet e kampionit të botës. Për të përmirësuar anët atletike, Maks ka zgjedhur boksin. Grushte, sparing dhe partner të gatshëm për t’i diktuar ritmin. Ushtrime, të cilat me sa duket i kanë dhënë frytet, nëse i referohemi përmirësimit të madh që ka shfaqur Maks Vershtapen në sezonet e fundit.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"