Play-Out,Vllaznia B-Orikumi/ Shkodranët me sytë nga ekipi A, për Orikumin është viti i duhur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2018 | 14:03

Play-Out,Vllaznia B-Orikumi/ Shkodranët me sytë nga ekipi A, për Orikumin është viti i duhur

Mes entuziazmit të tifozëve që kanë ndjekur dje stërvitjen e fundit, Orikumi ka mbyllur përgatitjet për takimin e sotëm që do të luajë sot ndaj Vllaznisë B, në orën 16:30 në stadiumin e qytetit të Durrës. Atmosfera në ekip paraqitet e mirë dhe lojtarët janë të bindur se do të arrijnë fitoren ndaj shkodranëve që nuk po kalojnë një moment pozitiv.

Orikumi
Në një prononcim për “Panorama Sport”, kapiteni i bregdetarëve, Noel Xhelili, është shprehur: “E njoh skuadrën time prej pesë vitesh dhe nuk e diskutoj në asnjë moment fitoren ndaj Vllaznisë B. Nuk do të presim që të bjerë nga Kategoria Superiore Vllaznia A dhe më pas të përfitojmë ne. Nuk kërkojmë mëshirë, përkundrazi do të tregojmë forcën tonë në 90 minuta, duke treguar se jemi të denjë që të luajmë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm. Grupi i futbollistëve është i plotë dhe nuk vuajmë nga mungesat dhe ky është një faktor pozitiv”, ka thënë fillimisht Xhelili, që kërkon edhe një gjykim korrekt. “Është një ndeshje vendimtare dhe ajo që kërkoj është një gjykim korrekt. Gjithashtu jam i bindur se tifozët do të na mbështesin masivisht në këtë transfertë për të festuar në fund ngjitjen një kategori më lart, që të gjithë e presin me padurim”, ka mbyllur kapiteni Xhelili.

play out
Vllaznia B

Ervis Kraja do të ketë ndoshta një nga javët më të vështira në karrierën e tij. Përgjatë gjithë sezonit ka drejtuar skuadrën e dytë të Vllaznisë, ndërsa tani në momentet më delikate do të jetë edhe në stolin e Vllaznisë A, e cila është pranë rënies nga Kategoria Superiore, kur duhen luajtur dy ndeshje si dhe do të drejtojë sot Vllazninë B në ndeshjen “play-out” ndaj Orikumit, që do të luhet në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrës. “Në këtë takim ne do të shkojmë me formacion të plotë dhe do t’ia bëjmë hyzmetin në maksimum. Tek ekipi i dytë kemi bërë një punë të lodhshme gjatë gjithë vitit dhe ajo duhet të shpërblehet, ndaj jam i bindur se do të shkojmë për fitore. Në këtë takim mund të ketë lojtarë që kanë luajtur te skuadra e parë dhe do të jenë në ekipin e dytë, ashtu siç do të ndodhë edhe e anasjella.

Gërshetimi i futbollistëve është i nevojshëm që të arrijmë edhe objektivin për të siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë”, ka thënë Kraja. Por, edhe në rast se fitojnë, Vllaznia B mund të sakrifikohet duke rënë një kategori më poshtë, nëse skuadra e parë nuk arrin të qëndrojë në Superiore. Rregullorja e FSHF-së nuk lejon dy skuadra në të njëjtën kategori dhe nga kjo situatë mund të përfitojë edhe Orikumi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"