“Play-Off”-i me Korabin/ Gjashtë lojtarë janë pezull, flet kapiteni i Tomorit: Luajmë për kualifikimin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2022 | 12:27

“Play-Off”-i me Korabin/ Gjashtë lojtarë janë pezull, flet kapiteni i Tomorit: Luajmë për kualifikimin!

Në Berat nuk heqin dorë nga “ëndrra” për të kapur elitën. Për të vazhduar rrugëtimin dhe shpresuar ende te realizmi i këtij objektivi, fillimisht duhet të kalojnë Korabin.

ervis-caco-665x400

Skuadra ka udhëtuar që dje drejt Peshkopisë, atje ku do të luajnë vetëm për fitore. Nëse vendësit mund të mjaftohen edhe me një barazim për të shkuar më tej, e njëjta gjë nuk vlen për Tomorin.

Kjo dukshëm i penalizon, e megjithatë vend për frikë nuk ka. Stafi teknik ka disa dilema për 11-shen. Veç Birjes së pezulluar, nuk është vendosur nëse do të luajnë Pepa, Oshafi, Barjamaj, Marku e Zefi.

Stërvitja në fushë sintetike i ka rënduar dhe gjendja e tyre nuk është optimale. E megjithatë, vendimi do të merret sot. Ata do të jenë në stol, por ka pak shanse që të marrin minuta.

Në klub kanë premtuar se do të ketë edhe premio nëse kalohet Korabi dhe ky është një motiv më shumë. Shifra mbetet një “mister”, megjithatë do të zbulohet nëse misioni arrihet. Beratasit janë disavantazh për këtë duel. Jo vetëm që do të luajnë në fushë kundërshtare, por luajnë vetëm për një rezultat: fitoren.

KAPITENI – Lojtarët janë më të karikuar se kurrë për këtë 90-minutësh dhe këtë e kupton teksa flet me kapitenin. Për Ervis Çaçon është përballje speciale, kur dihet e shkuara e tij me dibranët.

“Nuk mund ta mohoj, kam kaluar kohë të arta te Korabi. Sa herë rikthehem në Peshkopi, kam emocione të veçanta. Por nesër (sot) ama, kthehem si një kundërshtar në atë stadium dhe me idenë të qartë, për të fituar me ekipin tim.

Pres të më mirëkuptojnë, por i tillë është futbolli. Tomori lakmon kualifikimin për në fazën tjetër të ‘play off’-it dhe do bëjmë çmos që në fund t’ia dalim. Sikurse dihet, në Berat jemi duke punuar për rikthimin e ekipit në elitë. Qëllimi është i qartë, 100-vjetori të na gjejë ku na takon”, përfundoi mbrojtësi i Tomorit.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"