Plasin sërish akuzat, shpërthen Al Kelaifi: Lëvizjet e Barcelonës, të jashtëligjshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2022 | 23:17

Plasin sërish akuzat, shpërthen Al Kelaifi: Lëvizjet e Barcelonës, të jashtëligjshme

Presidenti i Paris SG-së dhe njëkohësisht president i Shoqatës së Klubeve Europianë të Furbollit (ECA), Naser Al Kelaifi e ka kapur keq me dy gjigantët spanjollë, Barcelonën dhe Realin e Madridit. Sulmet e tij ndaj tyre kanë qenë të shpeshta këto javët e fundit dhe me motivacione të shumta. Me Realin e Madridit është përplasur në lidhje me iniciativën e “Los Blancos” për të krijuar Super Ligën Europiane (së bashku me Barcelonën dhe Juventusin).

al kelaifi

Ndërsa me Barcelonën përplasjet kanë nisur pas lëvizjeve financiare të bëra nga klubi katalanas, që i dhanë mundësi të qëndronte brenda rregullave të “fair play financiar” të UEFA-s dhe të ndërtonte një skuadër konkurruese në Spanjë dhe Europë. Numri një i klubit kampion në Francë ka dhënë një tjetër intervistë për “Politico”, duke lënë ironitë dhe sulmuar ashpër dhe drejtpërdrejt Barcelonën. Edhe këtë herë thelbin e kritikave e kanë bërë financat e klubit të drejtuar nga Joan Laporta.

Presidenti i katalanasve bëri disa lëvizje në verë, duke shitur një pjesë të rëndësishme të aksioneve të “Barça Sudios” si dhe të drejtave televizive, që së bashku me marrëveshjet e tjera të sponsorizimit si “Spotify”, arriti të arkëtonte rreth 860 milionë euro. Këto shuma i dhanë mundësi klubit të dilte nga kriza financiare ku ishte zhytur. Por këto manovra financiare të Barcelonës vazhdojnë të mos e bindin presidentin e PSG-së, Naser Al Kelaifi. “A është e drejtë ajo çfarë ka bërë Barcelona? Jo, për mua nuk është e drejtë… A është ligjore e gjithë kjo histori e levave financiare? Nuk jam shumë i sigurt”, ka thënë Al Kelaifi, duke iu referuar shitjes së aktiveve të klubit të Barcelonës verën që lamë pas.

al kelaifi

“Nëse UEFA do t’ia lejojë, jam i bindur se dhe klube të tjera në Europë do të bëjnë të njëjtën gjë. Unë e di se UEFA ka rregullat dhe mekanizmat e veta të kontrollit dhe të gjithë do të kalojnë në lupën e saj”, ka vijuar ai. Sa për projektin e Super Ligës Europiane, ai është shprehur përsëri i bindur se iniciativa e marrë nga treshja “renegate”, Barcelona, Real Madrid dhe Juventus nuk do të ketë jetë. “Askush nuk do ta lejojë krijimin e Super Ligës”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"