Plasin kërcënimet te Vllaznia, drejtori turk: Nuk do lejoj askënd të tallet kështu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2018 | 9:48

Plasin kërcënimet te Vllaznia, drejtori turk: Nuk do lejoj askënd të tallet kështu

Drejtori sportiv i klubit Vllaznia, turku Engin Firat, ka shpërthyer ndaj skuadrës pas humbjes në transfertën e Fushë-Krujës përballë Ilirisë. Shkodranët pësuan të hënën humbjen e parë në kampionat, ndërsa ekipi bëri një paraqitje të dobët. Burime pranë skuadrës bëjnë të ditur se drejtori sportiv ka folur me tone të ashpra ndaj lojtarëve të ekipit menjëherë në dhomat e zhveshjes pas përfundimit të takimit. Ai ka lëshuar kritika mbi të gjithë lojtarët pa bërë asnjë përjashtim.

firat

“Sikur e kam parandier këtë humbje. E kam parë që në stërvitjen e një dite më parë para nisjes për në Fushë-Krujë që nuk ishit aty ku unë prisja. Keni bërë një ndeshje shumë të dobët. Nuk  lejoj askënd që të tallet. Nëse kam pasur punë dhe nuk kam qenë pranë jush, kjo nuk do të thotë se nuk do të jem në vazhdimësi.

Do të flasim edhe më shumë gjatë javës që vjen. Do të më keni në çdo stërvitje dhe mos kujtoni se nuk do merrem me gjithsecilin prej jush. Do të jem i pranishëm në çdo stërvitje dhe nuk do të ketë asnjë tolerim”, u ka thënë ndër të tjera Firat lojtarëve gjatë fjalimit që ka mbajtur pas ndeshjes.

VLLAZNIA

AFRIMET

Mësohet se drejtori turk nuk i ka kursyer edhe presionet dhe masat që mund të ketë për lojtarët në fund të dy fazave të para. Me sa duket, Firat kërkon që të ketë dorën e tij te kjo skuadër dhe në ato pak çaste ai ka folur se në janar do të ketë edhe afrime. Siç e shohim, ai po shikon mundësinë që të forcojë skuadrën në prag të dy fazave të tjera, të cilat janë më decizivet për ecurinë e sezonit.

Vllaznia

STËRVITJA

Ndërkaq, ekipi i Vllaznisë edhe ditën e djeshme ka qenë pushim. Tekniku Hasan Lika, nisur edhe nga ndërprerja e kampionatit, ka lënë skuadrën dy ditë pushim. Skuadra pritet që t’i kthehet punës që sot dhe për rreth 10 ditë do të përgatisë takimin e fazës së dytë të këtij sezoni, atë që ka në Peshkopi përballë Korabit.

Një tjetër përballje e vështirë për Vllazninë. Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar dhe pritej nga ekipi, kjo fazë do të jetë më e fortë dhe më e vështirë sesa ajo që shkoi. Shkodranët do të luajnë në fusha të vështira ndaj rivalëve të fortë, për më tepër që ekipet e njohin tashmë lojën e Vllaznisë dhe e kanë më të lehtë për ta ndaluar.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"