Plas te Tomori, pezullime dhe dyshime për “sabotim”. Lojtarëve do t’u mbahet 50 % e rrogës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2017 | 18:28

Plas te Tomori, pezullime dhe dyshime për “sabotim”. Lojtarëve do t’u mbahet 50 % e rrogës

Pezullime dhe gjoba te Tomori. Humbja min imale ndaj Shkumbinit nuk ka kaluar pa pasoja në radhët e beratasve. Dje, në orën 15:00, krerët e klubit kanë zhvilluar një mbledhje enkas për këtë situatë, ku ka qenë i pranishëm trajneri Santiliano Dule së bashku me lojtarët e tij. Masat e marra për këtë humbje kanë qenë mjaft të ashpra, duke mos toleruar dhe mos marrë për bazë asnjë nga justifikimet e lojtarëve.

Tomori

Mikel Kaloshi, Ervis Çaço, Xhuliano Mirani dhe Ariel Drabo janë pezulluar pa afat, me motivacionin “mosimpenjim maksimal në sfidën e fundjavës që kaloi”. Shumë i çuditshëm duket pezullimi i të riut Ariel Drabo, i cili në atë përballje nuk ka qenë pjesë në 18-she, teksa është detyruar që ndeshjen ta ndjekë nga tribuna. Këto nuk kanë qenë ndëshkimet e vetme, pasi edhe pjesa tjetër e lojtarëve nuk ia ka hedhur paq. Me përjashtim të dy futbollistëve, si Doraldo Paja dhe Genald Sharavolli, pjesa tjetër e lojtarëve është ndëshkuar me gjoba, duke iu ulur 50% nga rroga.

Tomori

Ky vendim është i përafërt me atë të një viti më parë, teksa u pezulluan 10 futbollistë. Ashtu si klubi, edhe futbollistët nuk kanë dashur të japin një prononcim në lidhje me këto masa ndëshkimore, duke heshtur për atë çka ndodhur ditën e djeshme. E vetmja gjë që mësohet, është se futbollistëve u është thënë se duhet të fitojnë me patjetër ndaj Turbinës, duke shlyer gabimin, por nga ana tjetër duke mos përshkallëzuar edhe masat ndëshkimore.

Në sfidën me Shkumbinin, beratasit kanë treguar potencial të lartë, edhe pse u ndëshkuan nga një episod që ka sjellë edhe rezultatin final të këtij takimi. Tomori përgjatë 90 minutave ka luajtur me një portë, teksa fati nuk ka dashur që topi të hynte në rrjetë. Edhe pse kanë pasur një penallti në favor të tyre e duke luajtur me një lojtar më shumë, të besuarit e Dules kanë qenë të pafuqishëm për të kthyer rezultatin.

Dule

DYSHIMET – Burime pranë Santilian Dules zbulojnë se ka pasur dyshime për “sabotim” ndaj tij, pasi një humbje do të sillte edhe shkarkimin e trajnerit. Madje, ditët e fundit kanë qarkulluar zëra edhe për zëvendësuesin e tij, ndërsa ka dalë emri i Kristaq Miles. Mirëpo, gjithçka është hedhur poshtë nga klubi që ka rikonfirmuar Dulen.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"