Plas te shtanga, Veli akuzon Gjozën dhe lë Kombëtaren: Më hoqi nga Europiani, tani s’më jep… lejen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2021 | 10:10

Plas te shtanga, Veli akuzon Gjozën dhe lë Kombëtaren: Më hoqi nga Europiani, tani s’më jep… lejen

Ndonëse prej rreth një viti nuk ka pasur asnjë garë, peshëngritja shqiptare duket se e ka tepër të vështirë të qëndrojë larg skandaleve. Vetëm disa muaj pas rikthimit të tij në krye të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes ka ardhur edhe përplasja e parë e Elez Gjozës me sportistët e shtangës, duke bërë që Evangjeli Veli të kërkojë zyrtarisht largimin nga kombëtarja, pasi është përjashtuar nga federata për të marrë pjesë në Kampionatin Europian.

VELI VS GJOZA

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Veli akuzon presidentin e FSHP-së, për të cilin shprehet se po mohon prezencën në Europian: “Sipas rezultateve sportistët më të mirë në Shqipëri janë Briken Calja për djem dhe Evangjeli Veli për vajza, gjë që u konfirmua edhe në garën e kontrollit që patëm më datë 29 janar te Parku Olimpik.

I pëlqen apo nuk i pëlqen kësaj federate dhe Elez Gjozës, ky është një fakt që e tregojnë qartë rezultatet. Isha e vetmja që kisha peshën e duhur nga të gjithë sportistët, por në mënyrë krejtësisht të pakuptimtë federata më thotë që nuk do të marr pjesë në Europian pasi do të dërgojmë vetëm djemtë të cilët luftojnë për pikë olimpike.

Kjo është një padrejtësi që më bëhet”, deklaron Veli. Tepër e zhgënjyer nga kjo situatë, peshëngritësja tashmë kërkon edhe largimin nga kombëtarja, por drejtuesit e FSHP-së po e zvarrisin çdo ditë dhe nuk ia japin dokumentacionin e nevojshëm:

“Presidenti Elez Gjoza nuk më hap as telefonin, i kam dërguar edhe shkresat zyrtare federatës por nuk kam marrë asnjë përgjigje. E-mailin për shkëputjen ia kam nisur madje edhe Federatës Botërore. Kam ardhur në Tiranë t’i kontaktoj, por më shmangen. Gjoza, i cili vetë më kishte thënë që të vija në kryeqytet për ta takuar, më pas më thotë se nuk jam në Tiranë por kam shkuar në Vlorë dhe që duhet të flas me sekretarin. E kontaktoj këtë të fundit, por më thotë që nuk di çfarë të them sepse nuk kam asnjë lloj informacioni.

Prej kohësh po më sorollatin dhe po më shmangen. Në Europian nuk më marrin dhe nga ana tjetër nuk më japin as shkëputjen nga kombëtarja, duke më mbyllur kështu të gjitha rrugët. Po më hedhin poshtë të gjithë punën time pa asnjë arsye”, deklaroi peshëngritësja.

Kujtojmë që Evangjeli Veli u shpall sportistja më e mirë në aktivitetin e fundit kombëtar para se gjithçka të ndalej nga pandemia. Ajo triumfoi në Kupën e Shqipërisë, duke vendosur edhe 2 rekorde kombëtare dhe prezenca e saj në Europian ishte e sigurt, por siç dihet Kampionati Europian i 2020-ën nuk u zhvillua për shkak të shpërthimit të pandemisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"