Plas te Luftëtari, klubi pezullon dy titullarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2019 | 19:31

Plas te Luftëtari, klubi pezullon dy titullarët

Luftëtari s’ka kohë për të humbur teksa pas disfatës me Tiranën, startoi dje përgatitjet në kuadër të javës së 11-të, atë me Partizanin.

luftetari

Më herët, para se Luftëtari të startonte përgatitjet për ndeshjen e radhës me Partizanin, në prezencën e presidentit Bekim Halilaj dhe stafit të tij të ngushtë në ambientet e brendshme të stadiumit “Gjirokastra”, pas analizës me tone të ashpra të adresuara në drejtim të bluzinjve për humbjen 3-0 me Tiranën, s’mund të mungonin dhe masat disiplinore për titullarët Realdo Fili, Andi Renja. Është presidenti i klubit bluzi, Bekim Halilaj, i cili për “Panorama Sport” konfirmoi dënimet.

realdo-fili

“Fili për sjellje të gabuar ndaj tifozëve dhe Renja për mosimpenjim në stërvitje do të stërviten me ekipin e të rinjve ose 19-vjeçarët deri në një afat të pacaktuar. Renja është lojtari më i paguar në radhët e Luftëtarit dhe si i tillë, duhet të tregohet profesionist në fushë. Te Luftëtari të gjithë duhet të tregohen profesionistë, pasi kjo skuadër e meriton të quhet e tillë”, tha Halilaj.

RENJA

STËRVITJA – Në fushën stërvitore “Lefter Millo” të Dervicianit, bluzinjtë startuan dje përgatitjet për ndeshjen e së dielës, atë me Partizanin. Me mungesat e dy titullarëve, Prikas të skualifikuar dhe Demos të dëmtuar në ndeshjen e fundit, trajneri Jorgos Marantas mbetet i prirë për të formatuar më të mirët e mundshëm për sfidën e së dielës. Luftëtari, përpos rezultateve negative të javëve të fundit, i ka të gjitha mundësitë për të lënë zonën e ftohtë pas dhjetë javëve të luajtura.

“Duhet të shohim para dhe të jemi të vendosur për të bërë gjithçka të mirë nga ndeshja e radhës me Partizanin”. Këto ishin fjalët e trajnerit Marantas thënë pas humbjes me Tiranën, ndërkohë që “Panorama Sport” ka mësuar se në analizën e djeshme para seancës stërvitore trajneri 46-vjeçar i ka mëshuar arsyes dhe logjikës sportive. “Të interpretosh një ndeshje të mirë dhe për më tepër ta fitosh atë, duhet shpirt, sakrificë dhe përqendrim në çdo sekuencë loje”.

T.Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"