Plas te Kosova, akuza mes trajnerit Zhires dhe lojtarit që ka piketuar Shqipëria: Nuk mund të njollosë emrin tim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2023 | 19:49

Plas te Kosova, akuza mes trajnerit Zhires dhe lojtarit që ka piketuar Shqipëria: Nuk mund të njollosë emrin tim

Përfaqësuesja e Kosovës bëhet gati për ndeshjet kualifikuese të Euro 2024 në një situatë shumë të tensionuar. Shkak është bërë mungesa në listë e sulmuesit Arbnor Muja, i cili është lënë jashtë listës nga trajneri Alen Zhires.

Collage Maker-09-Jun-2023-07-47-PM-1825

Lojtari ka fituar titullin kampion me Antverpën në Belgjikë, por nuk u ftua nga trajneri francez i Kosovës për këto dy ndeshje. Ndërkohë, janë hapur zërat se kjo ka lidhej edhe me një vendim të mundshëm të ish-lojtarit të Skënderbeut që të kalojë në radhët e Shqipërisë, meqë nuk ka luajtur asnjë sfidë deri më tani me “Dardanët”.

Zhires, sot në konferencë për shtyp deklaroi se Muja i kishte kërkuar garanci që të luante, ndaj nuk ishte pjesë e grumbullimit. “Sa i përket Mujës, në fakt e kam ftuar për miqësoret që i kemi pasur në nëntor por nuk ka ardhur. Pastaj e kam ftuar për ndeshjet e muajit mars dhe ishte pjesë e ekipit. Sa i përket këtyre ndeshjeve, Muja ka kërkuar garanci për vendin e titullarit, gjë që i kam shpjeguar se askush nuk e ka të garantuar një gjë të tillë. Dhe, nëse mendon kështu, atëherë është më mirë mos të vijë sesa të vije e të mos luajë”, tha trajneri para mediave.

Pas këtyre deklaratave, ka reaguar vetë Muja nëpërmjet një postimi në Facebook, duke iu kundërpërgjigjur trajnerit dhe duke treguar se krisja mes tyre është e dukshme.

“Deklarata e selektorit Zhires që unë i kam kërkuar vendin e titullarit në ndeshjet e qershorit është e pavërtetë. Me selektorin Zhires dhe ndihmësin e tij kam biseduar gjatë pjesëmarrjes time në ndeshjet e marsit. Kërkesa ime ka qenë se ku qëndroj në planet e selektorit Zhires për ndeshjet e ardhshme dhe pse nuk jam paraqitur kundër Izraelit dhe Andorrës. I kam treguar që mendoj që ka qenë e padrejtë mosprezenca ime në ndeshjet e marsit.

Secili trajner dhe staf i tyre që ka punuar me mua, e dinë që unë një gjë të tillë nuk e kërkoj kurrë. Emrin tim selektori mund ta thërret, mund ta lë në bankën rezervë, mund ta lë edhe në tribuna, por kurrë ta njollosë”, ishte kundërpërgjigja flakë për flakë e Mujës, që ka ndezur kësisoj një tjetër debat të zjarrtë te Kosova.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"