Plas te Korabi, titullarët bojkotojnë stërvitjen dhe akuzojnë për tolerim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2017 | 9:55

Plas te Korabi, titullarët bojkotojnë stërvitjen dhe akuzojnë për tolerim

Humbja e thellë e Korabit 0-4 ndaj Teutës është përjetuar shumë keq nga disa futbollistë që nuk patën fatin të luanin në këtë takim. Jo vetëm kaq, por është shkuar edhe më tej ku disa prej tyre kanë ngritur akuza në drejtim të trajnerit Ermal Nexhipi dhe të administratorit Fehmi Mziu.

Korabi stervitje 2017

Sipas titullarëve që u lanë pushim, trajneri dhe administratori janë kryesorët e kësaj humbjeje, pasi kanë toleruar me qëllim përfitimi të ndonjë premioje të ekipit kundërshtar, duke mos futur në fushë lojtarët e mirë, e titullarë, por të rinjtë dhe lojtarët pa përvojë. Madje ka pasur dhe një protestë të tyre për të mos dalë në stërvitjen e djeshme, e cila ishte programuar paradite në Pezë-Helmës. Sipas tyre, për këtë qëllim nuk janë aktivizuar lojtarët titullarë si Jubani, Ardit dhe Denis Peposhi apo dhe portieri Laço.

PROTESTA

Lojtarët janë paraqitur në orën 9:50 në ambientet e kompleksit “Tirana Internacional” në Pezë-Helmës ku dhe do të zhvillonin seancën stërvitore. Pasi lojtarët kanë dalë në fushë, në momentin që do të niste dhe një analizë e thjeshtë pas ndeshjes me Teutën, siç ndodh zakonisht, kanë qenë disa titullarë si shkodrani Daniel Jubani, Ardit dhe Denis Peposhi, të cilët u janë kundërvënë dy drejtuesve të analizës, duke u thënë se janë përgjegjës për këtë humbje, duke i lënë jashtë formacionit.

“Nëse keni marrë para, na jepni lekët, ose ndryshe nuk vazhdojmë stërvitjen. Ose na tregoni arsyen pse ndërtuat një formacion të lehtë me lojtarë të rinj duke mbajtur në stol titullarë si ne”, mësohet të jenë shprehur lojtarët e lënë pushim. Kjo është mbështetur edhe nga shokët e tjerë të skuadrës dhe përfundimisht nuk ka dalë asnjë në stërvitje. Madje, ata kanë paralajmëruar se as sot nuk do të stërviten nëse nuk do jepen shpjegimet ose paratë nëse ka patur tolerim.

Kjo do të jetë një protestë, e cila mund edhe të përshkallëzohet me dështimin e ndeshjes me Tiranën si pasojë e mosparaqitjes së lojtarëve të Korabit. Gazeta ka kontaktuar me lojtarët dhe protagonistët e kësaj proteste, mirëpo ata nuk kanë pranuar të prononcohen, pasi janë në pritje të rrjedhjes së ngjarjeve dhe se do të deklarohen në një moment të përshtatshëm.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"