Plas te Korabi, lojtarët nuk pranojnë të stërviten

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2018 | 13:22

Plas te Korabi, lojtarët nuk pranojnë të stërviten

Plas te Korabi para ndeshjes kundër Be sës. Dje, lojtarët e skuadrës dibrane kanë bojkotuar stërvitjen për shkak të pagave të pamarra. Pasi kanë pritur që të shlyhen, kjo nuk ka ndodhur dhe futbollistët në shenjë revolte kanë bojkotuar procesin stërvitor. Edhe pse drejtuesit e klubit kanë dhënë garanci për pagat, sërish futbollistët nuk janë bindur, duke mos besuar te korrektesa e klubit.

ahmataj korabi

Në këto kushte, duke qenë se shumica e lojtarëve s’kanë pranuar të vijojnë normalisht përgatitjet në prag të ndeshjes me kavajasit, drejtuesit kanë kërcënuar me pezullime nga skuadra. “Panorama Sport” ka zbardhur një mesazh që administratori i klubit, Fehmi Mëziu, u ka dërguar lojtarëve.

MESAZHI – “Marr shkas nga biseda me Klaudio Hysenin, i cili ka folur me çunat që ishin në tavolinë herën e fundit që biseduam për lekët dhe që sot do t’i merrnit. Unë kam bërë çmos që gjithmonë të merrni djersën tuaj që ju takon dhe këtë do ta bëj edhe në vazhdim. Lekët nuk ua mban askush, por ka disa procedura për të kaluar lekët në llogaritë tuaja.

meziu

Kush nuk del në stërvitje sot dhe në vazhdim do t’i bëhet vendimi gati për pezullim, si dhe s’do të jetë më pjesë e ekipit në vazhdim. Nuk është presion, çdo vendim do ta ekzekutoj me kënaqësinë më të madhe”, shkruhej ndër të tjera në mesazhin e administratorit të Korabit.

SITUATA – Korabi nuk është në një pozicion komod në renditje, edhe pse për momentin ka 4 pikë më shumë se vendi që të zbret në Kategorinë e Dytë. Skuadra e drejtuar nga Dorian Bubeqi ka këtë fundjavë një transfertë delikate me Besën e Kavajës, ku minimalisht nuk duhet të humbasë.

Në takimin e fundit mes tyre, ka pasur jo pak probleme. Trajneri i Korabit është kavajas dhe gjithashtu pjesë e Korabit janë edhe ish-lojtarë të Besës. Dy javët e ardhshme duken vendimtare për të ardhmen e skuadrës që pas transfertës në Kavajë, pret në Peshkopi skuadrën e Tërbunit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"