Plas te klubi i Kategorisë së Parë, bojkot dhe kërcënime prej… kontratave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2021 | 10:05

Plas te klubi i Kategorisë së Parë, bojkot dhe kërcënime prej… kontratave

Kur mendohej se gjithçka ishte vënë në vijë dhe goditjet në merkato po shoqëronin njëra-tjetrën, “plas” te Tomori. Nëse fitorja me Shkumbinin në Peqin po krijonte idenë se skuadra po hidhte baza të forta, befas shfaqen problemet e para.

Tomori Berat

Zvarritja e firmave ka çuar futbollistët drejt bojkotit të ndeshjes që do të luhej dje në Ballsh. Beratasit kishin planifikuar miqësore me Bylisin, por u nisën me mungesa të mëdha. Shumica e titullarëve që ende nuk kanë nënshkruar kontratë, kanë vendosur që të mos dalin në fushë. Kjo e detyroi stafin teknik që të prezantohej me formacionin e dytë dhe të rinjtë.

MAGANI – Një pjesë e mirë e titullarëve kanë kërcënuar deri me largim nga skuadra, nëse situata nuk zgjidhet. Ka pasur edhe nga ata që kanë ikur direkt, duke evituar presionet. Bëhet fjalë për Endrien Maganin, i prezantuar vetëm pak ditë më parë si blerje.

Mbrojtësi kishte ditë që stërvitej, por derisa nuk kishte mbyllur zyrtarisht detajet kontraktuale dhe rrjedhimisht ato financiare, ka ikur pa u menduar dy herë. Ai direkt ka gjetur edhe ekip, pasi është sistemuar në vendlindje. Ka qenë vetë Shkumbini që e ka prezantuar si përforcim për sezonin 2021-2022.

BOJKOTI – Burime konfidenciale të “Panorama Sport” konfirmojnë për gazetën se lojtarët janë lodhur nga shtyrja e vazhdueshme e firmës dhe e kanë parë të udhës që të protestojnë. Kjo ka çuar në revoltë dhe deri në kërcënimin për largim të disa titullarëve duke filluar nga portieri Oltian Harremi, mbrojtësi Ledion Ruço, sulmuesi Brunild Pepa apo ndonjë tjetri.

Me të drejtë kanë ngritur zërin dhe kanë kërkuar të nënshkruajnë kontratat dhe ndajnë mendjen që janë pjesë e Tomorit. Si rrugë të përshtatshme, ata kanë menduar bojkotin e miqësores me Bylisin.

Kjo i detyroi drejtuesit të bëjnë një zgjidhje emergjente dhe të rreshtojnë në fushë futbollistë te ekipit të dytë të Tomorit. Kujtojmë që e njëjta gjë ndodhi edhe me Mikel Cankën pak ditë më parë. Ai po përgatitej me beratasit, por firmosi te Besa. Në mungesë të rinovimit, shënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë vendosi të largohej.

KRYEBASHKIAKU – Gazeta ka tentuar të lidhet me drejtorin Ismet Ajazi për të mësuar diçka më shumë rreth kësaj situate, por ai nuk është treguar i disponueshëm.

Nga burime brenda klubit mësohet se situatën e ka marrë në dorë kryebashkiaku Ervin Demo, që me statusin e presidentit të Tomorit ka thënë se është në ndjekje të situatës së krijuar dhe brenda 24 orëve do të dalë me një përgjigje zyrtare për t’i dhënë fund zgjidhjes së këtij ngërçi.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"